TIRANË, 16 qershor/ATSH-Maela Marini/ Rreth 75 milionë dollarë mendohet të jetë shuma totale e programit të granteve për riparimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Lajmin e bëri të ditur sot ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, i cili tha se “procesi i vlerësimit të dëmeve ka përfunduar në 7 bashki dhe konkretisht në Shijak, Kamëz, Rrogozhinë, Kurbin, Mirditë, Vorë dhe Kavajë”.

Në këto bashki, sipas tij, “janë 5 708 familje përfituese në DS1, DS2 dhe DS3 ku DS2 dhe DS3 është shumica e përfituesve edhe për shkak të vlerësimit të dëmeve që janë bërë në të gjitha bashkitë”.

Ahmetaj tha se “presim përfundimin në bashkitë e Tiranës, Durrësit dhe Lezhës.

Shuma që familjet përfitojnë në 7 bashkitë ku ky proces ka përfunduar, sipas Ahmetaj është 2 miliard lekë, pra rreth 20 milionë dollarë.

“Vetëm në bashkinë e Shijakut, pa ambientet e përbashkëta, përfitimi është 5 milionë dollarë që i shpërndahen 1174 familjeve”, tha ai.

Ndërkohë Durrësi, sipas tij, “në vlerësimet paraprake është 24 milionë dollarë, të cilat ju premtojmë se do të shpërndahen brenda muajit korrik”.

“Të gjitha bashkitë që do të bëjnë vlerësimin final dhe kontraktimin siç e ka bërë bashkia e Shijakut në kohë rekord, ne u premtojmë se brenda korrikut të gjitha familjet do të marrin paratë, ashtu siç i shikoni në bashkinë e Shijakut. Shuma totale mendohet të shkojë rreth 75 milionë dollarë vetëm program i granteve. Është eksperienca e parë në Shqipëri, por edhe si program është specifik dhe i sugjeruar nga partnerë ndërkombëtarë kur ne shkruam ligjin”, tha Ahmetaj.

ATSH