Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje të dhënat kuptimplota të përparimit që është bërë në drejtim të ngritjes së një sistemi grumbullimi e përpunimi të mbetjeve.

Rama publikoi sot të dhëna nga shkalla e mbulimit të popullsisë me shërbime për menaxhimin e mbetjeve në vitin 2013 dhe në vitin 2020.

“Mirëmëngjes dhe me këto të dhëna kuptimplota të përparimit që kemi bërë në drejtim të ngritjes së një sistemi grumbullimi e përpunimi të mbetjeve, duke vazhduar përpjekjet më tutje ndërkohë që ata të cilët e lanë vendin në gjendjen e mosozotshme me male plehrash në çdo qytet, kanë vënë kujën për ta mbuluar diellin me shoshë, ju uroj një javë të mbarë”, tha Rama.

Sipas statistikave, në vitin 2013, 50.7% e popullsisë mbulohej me shërbime grumbullimi mbetjesh dhe 15.9% e popullsisë kishte shërbim me pikë fundore me trajtim me kushte mesatare sanitare.

Ndërsa në vitin 2020, 87.9% e popullsisë mbulohet me shërbime grumbullim mbetjesh dhe 68% e popullsisë mori shërbim me pikë fundore me trajtim me kushte optimale sanitare./atsh/