/ATSH-ANSA/ – Një modul europian do të shoqërojë kthimin e njerëzve në Hënë në vitin 2024, si pjesë e misionit të tretë të programit Artemis të NASA-s, njoftoi Agjensia Europiane e Hapësirës (ESA), e cila ka nënshkruar një kontratë me kompaninë ”Airbus” për ndërtimin e Modulit të tretë Europian të Shërbimit (ESM) për anijen ”Orion” të NASA-s.

Zbritja e fundit njerëzore në Hënë ndodhi në dhjetor 1972 me misionin Apollo 17.

Duke imagjinuar anijen ”Orion” si një shtëpi hapësinore, moduli europian përfaqëson katin e tij të parë.

Ai do të sigurojë gjithçka që është e nevojshme për të mbajtur gjallë astronautët gjatë udhëtimit në modulin e strehimit: ujë, ajër, shtytje me gati 9 tonë karburant, energji elektrike me 4 panelet diellore dhe një temperaturë të përshtatshme.

“Duke hyrë në këtë marrëveshje, ne demonstrojmë se Europa është një partner i fortë dhe i besueshëm i ‘Artemis”, komentoi David Parker, Drejtori i ESA.

“Moduli evropian i shërbimit paraqet një kontribut thelbësor, i cili do të lejojë kërkimin shkencor, zhvillimin e teknologjive kryesore dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Misione frymëzuese që do të zgjerojnë praninë e njeriut përtej orbitës së ulët të Tokës”, shtoi Parker./  /os/ a.jor.