/ATSH/ Bypass-i i Fierit, një veprat kryesore të infrastrukturës rrugore shqiptare, jetik për lëvizjen sidomos gjatë sezonit veror, u hap sot në të dyja koristë e tij.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u ndalën sot në Fier ku panë nga afër punimet e kryera për ndërtimin e këtij bypass-i.

Rama e ka cilësuar këtë një vepër gjigante. Sipas tij, me sistemimin e segmentit 120 km nga Miloti deri në Fier nëpërmjet Thumës e Rrogozhinës do të kemi një vepër fantastike.

“Me mbylljen edhe të anëkalimit tjetër, mbyllet përfundimisht by pass-i i Fierit dhe nga sot kjo vepër e rëndësishme është në dispozicion të publikut, me të gjitha standardet e garantuara pas rishikimit tërësor të projektit”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Ministrja Balluku tha se bypass-i i Fierit është i kategorisë “b”, ekstra urban dhe ka një limit shpejtësie prej 120 km në orë.

Në ditët e para, qarkullimi në këtë bypass, tha Balluku, do të ketë një mbikëqyrje nga Policia Rrugore.

“Lëvizja do të kontrollohet me radar, pasi është një rrugë ku mund të ecet me shpejtësi, por duhet patur parasysh që edhe komuniteti duhet të ambientohet me këtë rrugë dhe shpejtësinë me të cilën lëvizet në të“, tha Balluku.

Ministrja më tej informoi se gjerësia e rrugës është 22 m, me dy karrexhata dhe secila karrexhatë ka nga 2 korsi.

“Kjo rrugë është trajtuar në detaje edhe sipas kërkesave të pushtetit lokal. Po sigurisht kemi respektuar edhe mjedisin, pasi në të dy anët e saj janë mbjellur pemë. Kemi ndërtuar tre ura të mëdha përgjatë këtij segmenti, atë të Pojanit, Semanit e Boçarës, mbi 4 udhëkryqe me dy nivele, 21 nënkalime dhe 7 mbikalime”, u shpreh ministrja

Në vijim, tha ajo, do të përqendrohemi në hyrjen e të gjitha zonave duke nisur nga Apolonia për të mbaruar detajet e rrugës. Kjo rrugë, tha ministrja, është mjaft e rëndësishme, pasi krijon një akses të rëndësishëm në këtë sit turistik.

Kjo rrugë, informoi ministrja Balluku pritet të përfundojë brenda 2-3 muajsh.

Bypass-i i Fierit ka një rëndësi të veçantë pasi bën të mundur lidhjen e tre akseve Lushnjë-Fier, Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë, por njëkohësisht bën lehtësisht më të aksesueshëm bregdetin e jugut.

Ndërtimi i këtij aksi dhe vendosja në funksion shkurton me 35 minuta distancën Tiranë-Vlorë.

Bypass-i i Fierit është një nga segmentet kyçe të autostradës Veri-Jug. Sipas projektit ai ka gjatësi afërsisht 22 km, me vlerë prej 60 milionë euro financuar nga BERZH dhe BEI. /a.gjonaj/ /a.g/