/ATSH/ Qeveria hapi sot garën për projektin inxhinierik për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, i cili do të ndërtohet me fondet e buxhetit të shtetit.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se Tuneli i Llogarasë është pjesë integrale e konektivitetit së bashku me Aeroportin e Vlorës dhe korridorin Adriatiko-Jonian.
Ndërtimi i Tunelit tha ajo, na krijon akses të shpejtë e sigurt drejt “Perlës së Ballkanit” dhe përmirësimin e imazhit të Shqipërisë turistike.
“Strategjia e qeverisë Rama për nxitjen e zhvillimit të turizmit vijon të japë frytet e saj duke i sjell Shqipërisë jo vetëm të ardhura, por duke i ndërtuar një imazh që pas shumë vitesh brezat e ardhshëm do të përfitojnë”, tha Balluku.
Ministrja bëri të ditur se tuneli do të jetë i gjatë 6 km dhe nis pas Urës së Shën Elizës deri në Palasë.
Balluku tha se kemi synuar një akses për të gjithë për të përshkruar rrugën e Llogarasë nga Dukati deri në Palasë që aktualisht nevojiten 55 minuta në vetëm 7-10 minuta.
“Sipas llogaritjeve tona tuneli prej 6 km me një shpejtësi të lejuar 50-80 km në orë do të përshkrohet për 7-10 minuta. Ky investim do të jetë efiçent për sa i përket kohës, kostos së karburantit dhe përdorimit të automjeteve dhe mbi të gjitha ka elementin e sigurisë rrugore”, tha Balluku.
Sipas ministres Balluku, ky investim merr një rëndësi pasi do të jetë vetëm 37 minuta larg Aeroportit të Vlorës.
“Asnjë ndërtesë akomoduese turistike nuk do të ishte e denjë nëse do të ishte mbi 45 min larg aeroportit”, tha Balluku.
Sipas ministres Balluku, impakti që ky tunel do të ketë në ekonominë e zonës dhe atë shqiptare i përkthyer në shifra arrin 550 deri 650 milionë euro, ndikim ky direkt dhe indirekt. Balluku theksoi se punësimi që kjo vepër do të nxisë arrin në 11 600 persona.
Duke u ndalur në zhvillimin e procedurave të tenderit, ministrja Balluku tha se parashikohet që gara për ndërtimin të hapet në 29 dhjetor të këtij viti, ndërsa punimet të nisin në pranverën e vitit 2021.
Sipas saj, në vitin e parë të operimit të këtij tuneli parashikohet një fluks lëvizjeje nga 3 mijë që është aktualisht në 6 mijë, ndërsa në vitin e tretë parashikohet që fluksi i lëvizjes të shkojë në 10 mijë automjete.
Tuneli, vijoi ministrja do të operohet me tarifë e cila do të jetë minimale dhe do të shkojë për mbulimin e kostos së ndërtimit dhe mirëmbajtjen. /a.gjonaj/ /a.g/