TIRANË, 2 qershor /ATSH/- Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se, Shqipëria është gati plotësisht për të qenë një vend i hapur në të gjitha pikat kufitare tokësore dhe ajrore, duke respektuar protokollet ndaj COVID-19.
Gjatë një interviste televizive, Balluku tha se “Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka dërguar ne vende të ndryshme, protokollet që Shqipëria plotëson për hapjen e sigurt të kufijve dhe është e gatshme për të pritur vizitorët e huaj. Jemi në pritje të përgjigjeve nga vendet e tjera, pasi ne jemi të gatshëm për t’u hapur, por hapja duhet edhe nga vendet e tjera”.
Balluku tha se, fluturimet me Vjenën nisin më 15 qershor dhe kompania ajrore austriake ka dërguar edhe një skedul të mirëfilltë për fluturimet që do të aplikojë.
Kështu, vijoi ajo, jemi në pritje edhe me vendet e tjera. “Hapja do të jetë vend pas vendi, kjo pasi ka akoma vende që nuk konsiderohen të sigurta siç është rasti i Italisë dhe Spanjës, ku kemi një vendim për hapje të vonuar”- tha Balluku.
Duke iu refeuar situatës së krijuar nga COVID-19, Balluku shprehu bindjen se rishikimi i buxheteve nuk do të prekë projektet në infrastrukturë, pasi siç tha ajo “të gjitha mundësitë që kanë qënë për të toleruar fonde nga projekte që mund të shtyheshin apo të rinisnin në vjeshtë janë ezauruar”.
Balluku deklaroi se infrstruktura do të jetë pjesë e rëndësishme e paketës së Rindërtmit, pasi të gjitha zonat e reja që do të rindërtohen kanë nevojë për një suport të madh të infrastrukturës rrugore, digjitale që do të jetë risi e këtyre qytezave.
Gjithashtu, tha ajo, infrastruktura do të jetë pjesë edhe e planit të rimëkëmbjes, që qeveria e dizenjoi fill pas situatës së COVID-19 dhe që shumë shpejt do të bëhet publike.
“Pjesë e rimëkëmbjes, tha ajo, do të jetë edhe projekti i Skavicës, të cilin do ta prezantojmë nesër bashkë me studimin e fizbilitetit që ka nisur në 2017 dhe ka kushtuar 1.5 milionë euro”.
“Skavica është një projekt ambicioz i realizuar nga ekspertë të huaj që i dorëzohet qeverisë shqiptare. Hidrocentrali i Skavicës është HEC i katërt dhe i fundit që do të ndërtohet në kaskadën e Drinit”- tha Balluku.
Sipas saj, ky HEC do të prodhojë rreth 200 megavat në orë energji dhe projekti shkon në 500 milionë euro.
“Një vepër madhore që do të financohet nga fondet e qeverisë me kredi, fonde sovrane, që përveç fuqisë energjetike do të përbënte një ndalesë përfundimtare edhe të përmbytjeve në zonën e Lezhës e Shkodrës”- tha ministrja.
Ajo deklaroi se, në datën 14 qershor hapet bypass-i i Fierit, një projekt i përfundur plotësisht me dy korsitë, veprat e artit dhe që i vjen në ndihmë sezonit turistik.
Balluku theksoi se, puna në projektet madhore të infrastruturës si në aeroportin e Vlorës, Kukësit apo rrugën Milot-Balldren po vijojnë pas një stanjacioni të diktuar nga COVID-19.
ATSH