Mbrojtja e njerëzve nga katastrofa ekonomike është një domosdoshmëri.

Kështu u shpreh sot kryeministri Edi Rama gjatë një konference online me gazetarët ku ndër të tjera theksoi se, “jemi duke diskutuar për këtë çështje edhe dje kemi pasur një diskutim të gjatë dhe jemi duke parë me kujdes, se çfarë po bëjnë vendet e tjera”.

Me thënë të drejtën, u shpreh Rama, që nga dita e parë e shpalljes së pandemisë COVID-19 e në vijim e kësaj situate, asnjë vend nuk ka përgjigje definitive për asgjë.

“Të gjithë ecin si të thuash pak në mënyrë somnambul, duke ecur përpara por me sytë mbyllur, nëse do ta bëja këtë krahasim dhe jemi duke e përpunuar vendimmarrjen dhe brenda pak ditësh do të dalim me një vendim”- tha Rama.

Kryeministri tha se, ndërkohë masat janë lehtësuar ndjeshëm dhe do të vijojnë të lehtësohen edhe brenda muajit ne duam që edhe kufijtë tokësorë të hapen.

“Shpresoj që edhe kjo të jetë e mundur. Tani ne kemi hequr detyrimin e karantinës në hotel dhe kush vjen nga jashtë karantinohet në banesën e tij”- tha Rama.

Ai shpjegoi se zona Shengen është e mbyllur të paktën deri në datën 15 qershor që do të thotë që fluturimet ajrore janë shumë të kufizuara. “Ne po bëjmë çmos me Air Albania për procesin e riatdhesimit, por ka më shumë kërkesa sesa mundësi, aq më tepër që afron edhe sezoni”, u shpreh ai.

“Kështu që është një dilemë e jashtëzakonshme”- tha kryeministri, ndërsa vuri në dukje se mundësia e një përsëritjeje, e një vale të re COVID-19, nuk është e vogël.

“Në rast se numrat do të fillojnë të kërcejnë përtej një pritshmërie të arsyeshme dhe do të mund të na fusin në një kornizë të një modeli të zhvillimit të epidemisë që kërcënon sistemin tonë shëndetësor, ne do të jemi të detyruar të rimbyllemi që do të ishte e rëndë, e rëndë për të gjithë dhe prandaj është shumë e rëndësishme që të gjithë qytetarët të bëjnë çmos që të ruajnë veten dhe të tjerët duke respektuar rregullat e thjeshta, jo shumë të këndshme, por duhen respektuar se përndryshe mund të kthehemi në situata më të vështira se ato që kaluam, sepse mund të gjendemi jo vetëm të mbyllur por edhe shumë më seriozisht të ekspozuar”- tha Rama.

“Nuk është çështja a do të hapet turizmi, çështja është si do të hapet”- tha ai.

Duke iu referuar opcioneve që parashtrojnë edhe vende të ndryshme, Rama tha se, “janë shumë improvizime të ndryshme që bëjnë vendet të ndryshme, por realisht të gjithë me sa po komunikojmë edhe me kolegë kryeministra nga vende të ndryshme ecin si të thuash me duar përpara por me sy mbyllur, me shpresën që nuk do takojnë murin”. /Atsh