ATSH/ Anglezi Harry Kane mori sot Këpucën e Artë në Mynih, duke u shpallur si golashënuesi më i mirë në ligat evropiane për sezonin 2025-26, falë 36 golave ​​të tij në 31 ndeshje të Bundesligës me kampionët e “Bayernit”.

Ceremonia u zhvillua në Muzeun e klubit bavarez, i vendosur në Allianz Arena. Sulmuesi anglez shoqërohej nga Christian Dreesen (CEO i Bayernit), Marc Lenz (president i Bundesligës), italiani Luca Toni (fitues i Këpucës së Artë dhe përfaqësues i ESM, i cili sponsorizon çmimin.

“Dua të falënderoj Bayernin, stafin, trajnerët dhe shokët e mi të ekipit. Pa ta, nuk do të isha këtu. Ka shumë punë pas një çmimi si ky”, tha Kane. “Përpiqem ta ndihmoj ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme. Sezoni i kaluar ishte i jashtëzakonshëm dhe jam shumë krenar. Ishte sezoni më i mirë i karrierës sime deri më tani. Ndihem shumë rehat në Bayern dhe me ekipin. Ne gjithmonë synojmë gjëra të mëdha dhe duam ta bëjmë përsëri këtë sezon”.

Kjo është Këpuca e dytë e Artë që Harry Kane merr, pas asaj të fituar në sezonin 2023-24, kur ai ishte tashmë te radhët e Bayern në Gjermani. Harry, tashmë në moshën 33-vjeçare, shprehu dëshirën për të synuar një trofe të tretë, gjë që do ta vendoste atë në podiumin e një tresheje të zgjedhurish të vërtetë, pasi vetëm dy futbollistë në historinë e këtij çmimi kanë arritur më shumë se dy trofe… dhe ata nuk mund të jenë askush tjetër përveçse Lionel Messi (me gjashtë çmime) dhe Cristiano Ronaldo (me katër Këpucë të Arta). Pastaj janë edhe 11 futbollistë të tjerë (midis tyre edhe Kane) me nga dy.

Këpuca e Artë është një çmim objektiv, pa asnjë lloj opinioni të jashtëm, i paraqitur nga ESM (European Sport Media). Që nga viti 1996-1997, Këpuca e Artë ka dhënë dy pikë për çdo gol të shënuar në ligat kryesore evropiane, duke reflektuar vështirësinë që ato paraqesin krahasuar me ligat e tjera, në të cilat çdo gol vlerësohet me 1,5 ose edhe vetëm me një pikë.

Në sezonin 2025-26, Harry Kane, me 36 gola, përfundoi përpara golashënuesve Erling Halaand (26 gola me City-n) dhe Kylian Mbappé (25 gola me Real Madrid), të cilët fituan përkatësisht Këpucën e Argjendtë dhe Këpucën e Bronztë.