ATYSH-Maela Marini/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot në Kuvend se ligji për heqjen e TVSH-së për jahtet është një mekanizëm ekonomik që kërkon të ngrejë një industri të munguar në Shqipëri dhe të krijojë më shumë punësim.
Gjatë diskutimit në Kuvend lidhur me heqjen e TVSH-së për jahtet, Klosi tha se nga ky ligj nuk ka asnjë humbje në buxhetin e shtetit sepse kjo industri nuk ekziston në Shqipëri.
“Të flasësh për turizmin nuk mund të jetë vetëm turizmi i detit, i natyrës, i trashëgimisë natyrore, por duhet të ngremë një politikë të madhe që shfrytëzon çdo mundësi që ka ky vend dhe që sjell në vëmendje mundësi reale, më shumë punësim dhe mirëqenie”, tha Klosi.
Ai theksoi se turizmi është një industri që prodhon punësim dhe para dhe ka shumë degë të saj që duhet të marrin zhvillim.
Në këtë kuadër, Klosi tha se “vjen edhe kjo paketë ligjore që shoqërohet me dy ligje, me atë për turizmin detar dhe ky për heqjen e TVSH-së së jahteve”.
“Ky ligj ka nevojë të debatohet dhe të shikohet por që debati të kthehet se kush përfiton, është debati më i gabuar që i bëhet një politike të re ekonomike. Një debat si atëherë kur ulëm TVSH-në e hoteleve nga 20% e çuam në 6%, për ato hotele që sot janë mekanizëm i vërtetë në gjithë hapësirën turistike të vendit. Kështu debatuat dhe kur ndërtuam strategjinë e hoteleve me 4-5 yje, dhe sot kemi një sërë markash në hotelerinë shqiptare. Edhe për agroturizmin këtë debat bëtë”, kujtoi Klosi.
Klosi tha se “ne synojmë të bëhemi një vend atraksioni për një industri të re që duhet të ndërtohet në Shqipëri”.
“Kjo industri ekziston në të gjitha vendet e Mesdheut. Ne na duhet të ngremë një paketë lehtësirash fiskale që në Shqipëri të gjejmë vend për të ngritur një industri të re të detit për të hapur më shumë vende pune. Ka mbi 6 milionë mjete lundruese në Mesdhe, ndërsa në Shqipëri thuajse zero. Është një industri e munguar që do tentojmë fort ta krijojmë në vendin tonë për të sjellë ndryshimin e imazhit të Shqipërisë. Me jahte që nuk i përkasin shumë biznesmenëve shqiptare, por janë jahte europiane që kërkojnë të zhdoganohen në Shqipëri. /j.p/