ATSH/ Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot përmes rubrikës “Homazh”, rilindasin dhe shtetndërtuesin, Pandeli Evangjelin.
“Pandeli Evangjeli është pjesë e atij rradhoji rilindasish dhe shtetëndërtuesish pak të njohur e shumë të harruar, veprimtaria e të cilëve gjendet në katakombet e historisë. Për këtë, nuk i duhet hedhur ndonjë faj këtij apo atij, pasi shtetari në fjalë e kultivoi me mençuri dhe durim diskrecionin, a thua se ishte qëllimi madhor i jetës së tij”, tha Rama.
“Më shumë korçar, se i tillë u rrit, se sa pe Kolonje ku edhe u lind, me tarbiate zotërie, por jo mikroborgjezi, i pandikuar nga zhurmat dhe gjullurditë, zoti Pandeli i zgjidhte me nikoqirllëk të madh çështjet në të cilat angazhohej dhe bashkëkohësit me të cilët jepte e merrte. Ishte padyshim i anës kombëtare, ovardhar pa rënë në sy, intelektual pa të vrarë veshin”, shtoi Rama.
Kryeministri tha se “shumë gjëra janë bërë gjatë Rilindjes dhe viteve të para të shtetit shqiptar, pa qenë i përmendur me domosdo emri i “xhaxhait”, por shumë pak gjëra të sakta janë arritur pa përfshirjen e tij”.
“Ç’të kujtojmë më parë? Kryesimin e shoqërive patriotike në Rumani? Hapjen e shkollave shqipe dhe shtypjen e librave shqip? Mbështetjen ndaj Princ Vidit dhe luftën për paprekshmërinë e kufijve kombëtarë? Propagandën proshqiptare gjatë kohës së turbullt të pas Luftës I Botërore? Ruajtjen e Korçës në suazën e atdheut? Betejën për autoqefalinë e Kishës ortodokse? Tranzicionin, si Kryeministër e Kryetar Senati, nga përleshjet filorevolucionare në një shtet të përqendruar në kërkim të Perëndimit, të reformave agrare dhe të një sistemi drejtësie funksional?”, tha Rama.
“Pa drejtësi nuk ka qeverim. Qeveria ka për detyrë të marrë masat e duhura që kjo institutë të arrijë në lartësinë e saj, që kështu të ndjejë populli se drejtësia jepet me paanësi të plotë. Përveç kësaj, të merren masa të rrepta kundër nëpunësve që abuzojnë prej këtyre dy fuqive (ligjore dhe ekzekutive)”, citoi ai.
Pandeli Evangjeli, sipas Ramës, nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme, por ishte mishërim i koherencës në një kohë ndërrimi frenetik xhaketash. Ai tha se “nuk është e paktë të mos bashkëpunosh asnjë ditë me pushtuesin kur ke ndenjur aq gjatë në kolltuk të lartë përgjatë një kohe aq të turbullt. Në kohën kur kreu i Shtetit nuk shpërndante dekorata dhe tituj si kaushë farash kungulli e luledielli, Pandeli Evangjeli ishte i vetmi shqiptar që meritoi kordonin e madh të “Urdhrit Besa”. Nuk i gjetën e as i shpikën dot ndonjë mëkat komunistët aq sa për ta zhdukur me nam e nishan, ndonëse e përzunë nga Tirana dhe e rikthyen në pleqëri të thellë në Korçën e dashur”.
“Ishte nikoqirllëku dhe diskrecioni që dikur e kishin radhitur mes të parëve të vendit, që ia ku e shpërblyen sërish Pandeli Evangjelin, të ikte në heshtje e pa sytë e botës mbi qivur, si sot e 71 vite më parë”, tha Rama. /m.m/j.p/