ATSH – I. Vata/- Deputeti i PS-së Ervin Bushati në fjalën e tij në Kuvend relatoi ne lidhje me marrëveshjen e huasë me FMN-në, të cilën e cilësoi “një mënyrë financimi të përshpejtuar nga FMN në fondin 175 milionë euro përafërsisht, sepse financimi i ekonomisë është e vetmja rrugëdalje nga kriza e pandemisë”.
“Sot financohet ekonomia, pasi deri më tani kemi pasur rastin që ekonomia ka financuar shtetin, nëpërmjet pagimit të taksave dhe gjithë mbështetjes që i jepet nga bizneset. Ne duhet që nëpërmjet financimit të ekonomisë ta shpëtojmë ekonominë dhe ky është momenti. Dhe pas krizës së tërmetit me fondet e rindërtimit dhe mënyrat e financimit atipandemi t’i japim një impuls të ri ekonomisë shqiptare”, tha Bushati.
“Kriza botërore që ka prekur të gjitha tregjet dhe natyrshëm ka bllokuar ekonominë shqiptare si të lidhur me gjithë këto tregje në mënyrë integrale të patjetërsueshme mund të ndihmohet vetëm nëpërmjet financave dhe aktori më i madh sot në treg, aktori më i fuqishëm, ai që duhet të ndihmojë ekonominë që të dalë nga ky impas është si gjithmonë aktori më i madh shteti. Në këto momente në çdo vend të botës, çdo shtet, çdo institucion ndërkombëtar, si Banka Botërore, FMN ashtu dhe BE para pak ditësh kanë vendosur të dalin nga kjo krizë me të vetmen mënyrë të mundshme që është financimi. Financimi dhe ekonomia janë si dy këmbë të të njëjtit trup që ecin përpara dhe ky është momenti të hidhet përpara këmba e financës për të ndihmuar ekonominë, që shoqëria shqiptare, trupi ynë i përbashkët mund ta kalojë këtë fazë, pa plagë, të mbylljes së pasojave shëndetësore dhe të vazhdojmë përpara të ndihmojmë biznesin shqiptar”, theksoi Bushati.
Bushati shtoi se “ne kemi pasur edhe dakordësinë e opozitës në komision kur është diskutuar ky projektligj sepse çdo linjë financimi sot është si ujë në shkretëtirë për ekonominë shqiptare. Ajo që kërkohet është se rindërtimi dhe masat antipandemi të fillojnë dhe të kapilarizohen në ekonominë shqiptare nëpërmjet investimeve të cilat duhet të nisin sa më shpejt. Patjetër dhe paketat e solidaritetit shoqëror patjetër që ndihmojnë dhe janë masat e para që duhet të merren dhe janë marrë në çdo moment, por vetëm përmes financimit nëpërmjet shtetit të projekteve të mëdha mund të vazhdohet të rritet ekonomia, të mbahet punësimi dhe të punojnë bizneset shqiptare”, përfundoi Bushati. /j.p/