ATSH/Nga 127 të riregjistruar, në 2 muaj e gjysmë, vetëm 5 shoferë e kanë rifituar lejen e drejtimit.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) bëri të ditur se në seancën e 7-të që nga zbatimi i dispozitës së re shtrënguese me rikthim në autoshkollë, nga 21 kandidatë, u paraqitën në sallë vetëm 8 veta. Sipas DPSHTRR-së vetëm 1 person kaloi testin.

“S’ka shpëtim përveç riedukimit për ata që ne i konsiderojmë kontigjent shkelësish të rëndë të rregullave të qarkullimit, përsëritës në sjellje që rrezikojnë ata dhe të tjerët në rrugë”, informoi DPSHTRR.

DPSHTRR apeloi qytetarët të respektojnë normat e qarkullimit rrugor, pasi nëse do i humbasin të gjitha pikët, do të rikthehen në autoshkollë dhe më pas nën monitorim të rreptë do të duhet të rifitojnë patentën. /j.p/