ATSH/ Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot se “rreth 159 476 të punësuarve u është miratuar paga e luftës prej 40 mijë lekë”.
Në një intervistë televizive, Ibrahimaj “ theksoi se “dje në mesnatë ka përfunduar procesi i aplikimit dhe deri në këto momente shifrat e dal nga sistemi tregojnë se janë 44 566 biznese të cilët kanë aplikuar për rreth 200 mijë të punësuar. Nga këto 200 mijë të punësuar janë rreth 159 476 , të cilëve u është miratuar paga e luftës, janë 31 536 të cilëve u është refuzuar paga e luftës dhe janë rreth 8500 që janë në vlerësim e sipër”.
“Ne kishim parashikuar që për të gjithë ata individë që nuk është aplikuar do të vendosen penalitete. Deri në këto momente janë rreth 9342 biznese që nuk kanë aplikuar, ndërsa 2689 biznese kanë bërë ankesë me specifikimin e arsyes përse ato nuk kanë aplikuar , ndërkohë që janë edhe 1666 biznese që kanë hapur çështjen për aplikim, por nuk e kanë finalizuar atë, të cilët kanë edhe tre ditë kohë deri të hënën në mëngjes për ta finalizuar aplikimin”, – theksoi Ibrahimaj.
Sipas saj, shifrat për totalin e bizneseve që nuk kanë aplikuar dhe që do të shqyrtohen për të marrë penalitete janë në analizë dhe do të kemi një rezultat gjatë javës në vijim.
“Jo të gjithë bizneset prej 9342 që nuk kanë arritur të aplikojnë do të penalizohen”, shtoi ajo.
E pyetur nëse ka patur refuzime të pagës së luftës prej 40 mijë lekësh dhe nëse po përse ka ndodhur, Ibrahimaj sqaroi se “refuzime kanë qenë gjithsej 31 536, kjo ka ardhur si pasojë e bizneseve të cilat kanë shumë punonjës në bazë të disa objekteve të aktiviteteve. Pra kemi pasur raste biznesesh të mëdha, të cilat kanë aplikuar dhe nuk ushtrojnë aktivitet vetëm në një fushë, por në disa fusha, janë refuzuar punonjësit që aktiviteti i tyre nuk është i lidhur me masat përfituese. Kjo është arsyeja kryesore e refuzimit ose nëse janë larguar jashtë afatit 1 mars-17 maj”.
Ndërsa e pyetur se sa varion gjoba për bizneset që nuk kanë aplikuar, Ibrahimaj u shpreh se “subjektet të cilët do të vlerësohen se nuk kanë aplikuar pa një arsye të fortë është 50 mijë lekë për individë për të mos aplikimin. Ne do të shohim në të gjitha rastet, nëse biznesi ka bërë një ankesë me arsye për mosaplikim do të shohim nëse brenda ankesës arsyet për mosaplikim janë të forta”.
Ibrahimaj bëri të ditur se nga dita e hënë do të bëjmë publike listën e personave që nuk kanë përfituar ende pagën e luftës dhe do të publikojmë një listë të veçantë për ata individë që nuk kanë llogari bankare.
“Ftoj qytetarët të kontrollojnë në faqen e tatimeve”, tha Ibrahimaj.
/k.s/ /a.g/
burimi atsh