/ATSH/- Pak javë pasi u ndëshkua me gjobë kompania e pastrimit në Rrogozhinë që derdhte mbetjet në lumin Shkumbin, ndëshkohet me gjobë edhe Bashkia Rrogozhinë
Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit ka kryer verifikime në shtratin e lumit Shkumbin në territorin e bashkisë Rrogozhinë ku është vërejtur një situatë e rënduar mjedisore si pasojë e mbetjeve urbane të depozituara pa kriter. Në kushtet kur Bashkia Rrogozhinë, edhe pas njoftimeve e kërkesave për marrje masash, nuk ka kryer veprime konkrete për pastrimin e territorit, IKMT ka marrë masën e ndëshkimit me gjobë 2 milion lekë ndaj Bashkisë.
Pak javë më parë, përgjatë kontrolleve në territor u konstatuan hedhje të mbetjeve urbane në territorin e bashkisë Rrogozhinë, në fshatin Zall, pranë bregut të lumit Shkumbin. Për pastrimin e qytetit të Rrogozhinës ishte kontraktuar firma “Viola-Green SHPK”. Ky subjekt u konstatua se mbetjet i depozitonte në lumin Shkumbin. IKMT mori masë administrative ndaj Kompanisë, si dhe njoftoi bashkinë Rrogozhinë për ndërprerjen e depozitimit të mbetjeve dhe rehabilitimin mjedisor të zonës.
IKMT në bashkëpunim me Policinë e Shtetit do të intensifikojnë inspektimet në terren, në çdo bashki apo njësi vendore, duke shoqëruar me masa të ashpra çdo shkelje të konstatuar. /a.g/