ATSH/ -Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik u ka bërë serish thirrje qytetarëve për kujdes në luftën për parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke thënë se lehtësimi i masave nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të institucioneve shëndetësore.
Mbrëmë në Kosovë janë konfirmuar tetë raste të reja me koronavirus dhe asnjë të shëruar, duke bërë kështu që totali i të prekurve të arrijë në 927.
Kjo ka bërë që IKSHPK të alarmojë qytetarët që të vazhdojnë të ruajnë distancën sociale, mbajtjen e higjienës dhe maskave deri në shuarjen e plotë të COVID-19.
“Lani duart me kujdes 20-30 sekonda! Virusi akoma gjendet në mesin tonë. Sakrificën tonë për të ruajtur shëndetin ta konsiderojmë si vlerë sublime duke vazhduar me mbajtjen e distancës fizike dhe mbajtjen e maskave në vendet publike. Ju lutemi të keni kujdes sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve”, thuhet në deklaratë.
IKSHPK u ka bërë serish thirrje edhe institucioneve për mbajtjen e rendit dhe inspektoratet për angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim./KosovaPress//e.m/