ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “nuk e pranoj dhe nuk kam për ta pranuar që nga një anë ne nënshkruajmë një marrëveshje parimore e gjitha në funksion të kërkesave të Partisë Demokratike dhe nga tjetër shahemi, fyhemi dhe akuzohemi përditë për këtë çështje, nuk po flas për të tjerat. Kërcënohemi dhe shantazhohemi përditë me një gjuhë rruge nga figurat e njohura të sharësit dhe shpifësit në atë parti”.

Gjatë prezantimit të kryenegociatorit për Zhvillimin e Negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, Zef Mazi në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, kryeministri Edi Rama i pyetur nga gazetarët lidhur me reformën zgjedhore tha se “ky është një proces ku duhet të respektojmë maksimalisht qëllimin që është i përbashkët, askush nuk dyshon besoj, unë jo, që në raport me këtë qëllim s’kemi diferenca”.

“Nuk dyshoj që Lulzim Basha, apo Ilir Meta apo shtojini me radhë emrat që të mos humbasin kohë,  nuk duan që Shqipëria të integrohet në BE. Besoj që të gjithë e duan këtë, por ama kjo nuk mjafton sepse integrimi në BE nuk është një udhëtim me avion as një transferim nga këtu atje,  është ndërtimi këtu i Europës. Dhe kur themi ndërtimi këtu i Europës, i vlerave, parimeve dhe standardeve të kthyera në materie demokratike institucionesh dhe komunikimi. Në Europë nuk di të mund të funksionojë siç funksionon këtu debati edhe kur është shumë i nxehtë”, nënvizoi Rama .

Kryeministri theksoi se “kjo është e papranueshme, sepse marrëveshja e nënshkruar do të shkojë në parlament . E para ne nuk i kemi asnjë detyrim PD-së, që t’i shërbejmë sikur jemi shërbëtorë të paguar që ulin kokën, lajnë pjatat e marrin të sharat e të zotit të shtëpisë. Ne jemi zot shtëpie këtu siç janë dhe ata dhe nuk jemi shërbëtorët e tyre. Nga ana tjetër, ata nuk meritonin nga ne gjithë atë respekt dhe tolerancë, por ne nuk e bëmë për ata, ne e bëmë për një interes më të madh dhe për të dhënë një shembull që jemi ndryshe edhe në këtë rast”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “thuhet se opozita gjithmonë e ka bërë reformën zgjedhore, kjo është e pavërtetë. Unë kam qenë edhe ne opozitë, kemi negociuar me Sali Berishën, por është e pavërtetë se çfarë kemi dashur ne është bërë. Është gjetur në çdo aspekt të procesit një pikë ku njëri nuk lëshon më. Negociata të tilla unë nuk kam parë në këtë vend që nuk është një shembulli mirë negociimi, me shantazhe, kërcënime, me ikje, ardhje, rikthime,  hajde thuaj ‘Po’, hajde thuaj ‘Jo’etj”.

“Megjithatë ne nuk pendohemi për këtë që kemi bërë deri këtu. Mua më vjen shumë keq që nuk e bëmë dot tani atë që kemi 30 vjet që duam ta bëjmë, depolitizimin e administratës zgjedhore. Nuk e bëmë dot sepse ishte e qartë se ishte tërësisht e refuzuar nga ana e tyre dhe nuk donim të dilnim pa marrëveshje. Por ata nuk kanë asnjë monopol dhe asnjë ekskluzivitet mbi asgjë. Ajo marrëveshje do të shkojë në parlament dhe ne i qëndrojmë asaj marrëveshje, por që ajo të votohet në parlament ata minimalisht duhet të merren me punë të tjera dhe të mos vazhdojnë me sharje e kërcënime”, – tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “nga ana tjetër nuk kam më shumë respekt për Lulzim Bashën, për Peço Vasilin e me radhë se sa kam për Rudina Hajdarin, Murrizin dhe ata që zgjodhën të qëndrojnë në parlament e nuk morën rrugën për të djegur Shqipërinë. Ata nuk kanë asnjë ekskluzivitet në të këtë proces, që të jemi të qartë. Ne kemi detyrimin t’i qëndrojmë marrëveshjes me ta. Ata përtej asaj marrëveshjeje s’kanë asgjë dhe asnjë të drejtë. Në parlament janë njerëz që kanë individualitetin e tyre kanë bërë zgjedhjen e tyre. Janë njerëz që kanë ardhur aty me firmën e tyre të Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit dhe nuk mund të trajtohen pa respekt. Duam s’duam ne, duan s’duan ata sot janë 3 palë në Shqipëri, nuk janë dy pale. Jemi ne, ata jashtë, janë ata brenda dhe ne kemi detyrimin t’i akomodojnë kërkesat e të tjerëve, por nuk jemi fondacioni ‘Populli’ i Rrapush Xhaferrit që vetëm merr dhe ik”.

“Për mua marrëveshja nuk është reformë, është thjesht një dakordësi për një ‘status quo’ që Shqipërinë nuk e ndihmon të reformojë sistemin e administrimit të zgjedhjeve, por e ndihmon në një aspekt më të gjerë lidhur me klimën, me dakordësinë në proces dhe natyrisht lehtëson frikën nga zgjedhjet që ka Lulzim Basha dhe PD”- , tha Rama.

/k.s/ /a.g/