ATSH/ Në tremujorin e parë të vitit 2025, investimet e huaja direkte (IHD) arritën 362 milionë euro.

Ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për të njëjtën periudhë tremujore, çka tregon për një rritje të ndjeshme të interesit të kapitalit të huaj në ekonominë shqiptare.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja theksoi rëndësinë strategjike të këtij zhvillimi për stabilitetin dhe rritjen ekonomike të vendit.

“Investimet e Huaja Direkte shënojnë rekord të ri në 3-mujorin e parë 2025. Me një fluks prej 362 milionë euro gjatë periudhës janar-mars, ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë”, deklaroi Gonxhja.

Nga të dhënat rezulton se investitorët më të mëdhenj në këtë tremujor kanë qenë nga Turqia me 13,8% të totalit, ndjekur nga Holanda me 13,5%, Italia me 12,7%, Austria me 8,6% dhe Gjermania me 7,7%.

Të dhënat tregojnë se investimet kanë qenë të përqendruara kryesisht në pasuritë e paluajtshme, të cilat kanë përthithur 28,7% të IHD-ve, një tregues i vazhdimit të interesit për sektorin e ndërtimit dhe tregut të pronave.

Pas tyre vijnë financa dhe sigurimet me 20,7%, që reflekton rritjen e besimit në sektorin bankar dhe në shërbimet financiare në përgjithësi.

Industria nxjerrëse ka përthithur 14,1% të investimeve, duke konfirmuar pozicionin e saj tradicional si një nga shtyllat tërheqëse për kapitalin e huaj, ndërsa sektorët e përpunimit dhe tregtisë kanë pasur një peshë të barabartë prej 8,8% secili.

Ky nivel i lartë i investimeve përbën një sinjal të qartë të besimit që investitorët e huaj po tregojnë ndaj klimës ekonomike në Shqipëri.

Rritja e fluksit të kapitalit të huaj jo vetëm që ndihmon në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në përmirësimin e infrastrukturës, por gjithashtu forcon integrimin ekonomik të vendit me tregjet ndërkombëtare. /j.p/