Prej një viti Bashkia e Pogradecit i është rikthyer intensivisht punës dhe investimeve publike, jo vetëm në qendër të qytetit, por edhe në periferi e fshatra. Aksi rrugor Pogradec-Tushemisht prej shumë kohësh ishte lënë pas dore dhe rruga paraqiste vështirësi për banorët e zonës, por edhe për pushuesit e shumtë që vizitojnë Pogradecin dhe atraksionet e tij të shumta turistike. Brenda 15 Gushtit aksi rrugor, rreth 3.5 km do të jetë i përfunduar duke i shërbyer qindra pushuesve. Rruga plotëson të gjitha standardet duke përfshirë edhe trotuare, kanalizime e ndriçim në pjesën e banuar.

Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla dhe Kryetari i Bashkisë së Pogradecit Ilir Xhangolli inspektuan ecurinë e punimeve duke vënë theksin në cilësinë e tyre:

“Që nga koha që Bashkia e Pogradecit ju rikthye punës, ka një ndryshim të paimagjinueshëm, jo vetëm në pjesën qëndrore të qytetit në parqe e lulishte ku prej shumë vitesh nuk ishte vënë dorë, por edhe në periferi. Ky është një aks kombëtar që lidh me qytetet e tjera, por edhe me doganën. Investimi këtu ishte i domosdoshëm dhe tashmë punimet po shkojnë drejt fundit, brenda 15 Gushtit kjo rrugë do të merret në dorëzim nga Bashkia e Pogradecit. Është një investim që plotëson të gjitha kriteret dhe standardet e domosdoshme. Në pjesën e banuar nuk mungojnë trotuaret, ngriçimi gjithashtu. Bashkia e Pogradecit është e tëra në punë dhe është modeli më i qartë i ndryshimit. Deri në 30 Qershor të vitit të kaluar Bashkia e Pogradecit ishte në gjumë dhe tashmë me ekipin e ri të drejtuar nga Xhakolli, bashkia është zgjuar dhe është e tëra në punë. Edhe pse sot është ditë e dielë, pothuajse e gjithë bashkia është në punë për t’u shërbyer pushuesve.”

Si një nga destinacionet më të bukura turistike në vend, Balla u bëri thirrje pushuesve të vazhdojnë të zgjedhin Pogradecin për pushimet e tyre. Jo vetëm natyra, liqeni dhe klima fantastike, por Pogradeci ofron turizëm kulturor dhe një shërbim të qytetëruar.