ATSH – I. Vata/-“Dhuna luftohet me shkolla institucion, fëmijët mbrohen me rregulla, jo me gardhe”, shprehet zëvendëskryeministri Erion Braçe ndërsa bën të ditur edhe investimet e qeverisë në disa shkolla në Divjakë
“Që ditën e parë në pushtet, në Divjakë, ja kemi dale në dy gjëra. E para, shkollat i kemi kthyer në godinat më të bukura, më funksionalet, më të hapurat, më gjithëpërfshirëse në qytet e në fshat. Jo godinat, zyrat e pushtetit, por shkollat. Ka qenë e qëllimtë, zgjedhje e jona dhe jam shumë i lumtur për këtë. Sot në Çerme Sektor, në Proshkë, në Çerme Shkumbin, në Shënepremte, në Divjakë-9 vjeçare, gjimnaz, kopështe, në Kryekuq, në Këmishtaj, në Fier Seman, ne Grabian, nuk ka godina me të mira, më të bukura, me funksionale, më të ngrohta, me më shumë ujë e gjelbërim se shkollat tona”, deklaron Braçe, ndërsa shton se “nuk do gjeni as shtëpi të tilla”.
Ai shton se “i kemi kthyer në qendra për qytetin, fshatin, komunitetin”.
“E dyta, shkollave u kemi hequr gardhet me bindjen e fortë se fëmijët i mbrojnë rregullat, jo gardhet. Shkolla duhet të jetë një hapësirë lirie për ta ku mësojnë e mësohen me rregullat e komunikimit, bashkëjetesës, mirësjelljes, respektit, dashurisë, nxënies e punës”, thekson Braçe.
Po ashtu, Braçe shton se “edhe në Lushnjë kemi bërë këtë, në Krutje ku kampusi mësimor-kopshte, 9 vjeçare, gjimnaz, po kthehet në qendër të fshatit. Po e bëjmë edhe në Kolonje ku fshati kishte kioska si qendër, po me një shkollë. Ja ku është. Do edhe pak të përfundoje-jo si shkollë, por si qendër e re rreth se cilës do mblidhet komuniteti. Besoj zysha që drejton aty e me të cilën dje folëm pak për gardhin që më kërkoi, do na mbështesë për lirinë e rregullat që luftojnë dhunën brenda nesh, në të menduar së pari, në të sjellurën e përditshme”.
“Liria i bën fëmijët të fortë, lirinë duhet t’u mësojmë të parën, lirinë për të thënë atë që mendojnë, lirinë për të thënë të vërtetën, lirinë për t’u bërë bashkë e për të përballuar gjithçka, duke dashur-kurrë duke bulluar njëri-tjetrin”, theksoi ai. /a.g/
Burimi ATSH