ATSH-Italpress/ – Mbi 500 pasagjerë që do të udhëtonin nga Bari drejt Durrësit u përballën me vonesa të mëdha pasi trageti GNV “Pegasus” pësoi një defekt teknik pak para nisjes.

Sipas medieve italiane, trageti ishte planifikuar të nisej rreth orës 22:30 të së premtes nga moli 3 ”San Vito” në portin e Barit.

Megjithatë, pak para nisjes, kur imbarkimi kishte pothuajse përfunduar, ekuipazhi njoftoi se anija nuk mund të lundronte për shkak të një problemi në motorë.

Si pasojë, më shumë se 500 pasagjerë dhe mbi 60 kamionë u detyruan të zbrisnin nga trageti, duke kaluar disa orë në pritje në port.

Rreth orës 02:00 të mëngjesit mbërriti trageti “Claudia” i kompanisë “Adria Ferries”, i cili mori në bord pasagjerët dhe mjetet, duke u nisur drejt Durrësit në agim.

Megjithatë, shumë prej udhëtarëve nuk mundën të përfitonin shërbimet për të cilat kishin paguar.

Edhe pse kishin blerë bileta me kabina, ata udhëtuan në kuvertën e tragetit zëvendësues.

Ndërkohë, trageti “Pegasus” mbetet i ankoruar në portin e Barit, ku do t’i nënshtrohet kontrolleve teknike nga autoritetet detare për të përcaktuar shkakun e defektit./  /Ad.Ab./ a.jor.