ATSH-DPA/- Forcat ajrore izraelite kanë goditur gjatë natës dhe mëngjesit të sotëm, pozicione të milicisë shiite, Hezbollah në jug të Libanit, njoftoi ushtria izraelite.
Në një deklaratë në platformën X, ushtria tha se sulmet erdhën pas një sulmi me raketa te kryer nga Hezbollahu, që kishte në shënjestër ushtarë izraelitë.
Sipas raportimeve ushtarake, katër ushtarë izraelitë janë vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur në një sulm me dron.
Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë në Bejrut, bëri të ditur se në territorin libanez janë vrarë 18 persona dhe janë plagosur 33 të tjerë.
Sipas saj, tetë nga viktimat ishin anëtarë të së njëjtës familje. Të dhënat nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Marrëveshja kornizë synon uljen e tensioneve
Edhe pse marrëveshja kornizë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit parashikon përfundimin e konflikteve ushtarake në rajon, ajo nuk përfshin një klauzolë të qartë, për tërheqjen e trupave izraelite nga Libani.
Hezbollah konsiderohet aleati më i rëndësishëm rajonal i Teheranit.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi sot se e ashtuquajtura “zonë sigurie” e krijuar nga ushtria izraelite, në jug të Libanit, shërben si një barrierë mes Hezbollahut dhe qytetarëve në veri të Izraelit.
Ai theksoi se Izraeli nuk do të tërhiqet, për sa kohë që kërkesat e sigurisë e bëjnë të domosdoshme praninë e tij në atë zonë.
Ndërkohë, qeveria libaneze e konsideron territorin e kontrolluar nga Izraeli, si tokë libaneze nën pushtim të paligjshëm, në shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Sipas burimeve të sigurisë në Liban, ndër zonat e goditura është edhe qyteti Kfar Tebnit, pranë Nabatieh, ku janë raportuar disa sulme ajrore.
Gjithashtu, janë raportuar luftime në një kodër me rëndësi strategjike në zonë. //a.i/



























