Shirat kanë përmbytur edhe më shumë se 1 000 shtëpi dhe kanë ndërprerë rëndë transportin.
Disa viktima u gjetën të bllokuara në automjete të zhytura, ndërsa të tjerë u shembën në rrugët e përmbytura, sipas autoriteteve në Prefekturën Chiba, e cila kufizohet me Tokion.
Një stacion meteorologjik në këtë prefekturë lindore regjistroi më shumë se 30 centimetra reshje në 24 orë, duke e bërë këtë gusht më të lagështin në rajon në 60 vjet, sipas të dhënave nga Agjencia Meteorologjike e Japonisë.
“Po shkojmë drejt një niveli të paprecedentë të reshjeve intensive”, paralajmëroi një zyrtar i agjencisë në një konferencë shtypi të organizuar me nxitim të enjten në mbrëmje, në fillim të stuhisë.
Nëntë persona kanë vdekur që atëherë, raportoi NHK, duke cituar shifrat e veta.
Sipas shkencëtarëve, ndryshimi i klimës i shkaktuar nga aktiviteti njerëzor po i bën këto lloje ngjarjesh ekstreme të motit më të shpeshta, më të gjata dhe më intensive.
Shirat shkaktuan paralajmërime për rrëshqitje dheu dhe ndërprerje të energjisë elektrike në lindje të Tokios, me meteorologët që lëshuan nivelin më të lartë të alarmit për reshje të dendura shiu në prefekturën Chiba për herë të parë.
Që nga mëngjesi i së premtes, reshjet totale në qytetin Chiba ishin më shumë se trefishi i totalit të zakonshëm për të gjithë muajin gusht, sipas Ministrisë së Tokës, Infrastrukturës, Transportit dhe Turizmit.
Në rajon, më shumë se 70 shtëpi u shkatërruan pjesërisht, sipas prefekturës.
Më shumë se 1 000 shtëpi u raportuan të përmbytura.
Media lokale raportoi rreth 1 200 automjete të braktisura në rrugë, të cilat autoritetet po përpiqeshin t’i largonin./ a.jor.



























