ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka inspektuar ditën e sotme në Kavajë kantierin, ku do të akomodohen 300 familje dhe do të ngrihen 100 njësi shërbimi nga themelet me standardet më të larta.

Teksa shoqërohej nga ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, kryeministri u njoh me projektin në fjalë si dhe afatet e përfundimit.

Ahmetaj informoi kryeministrin se janë rreth 7 pallate me 6 kate që do të mundësojnë strehimin e rreth 300 banorëve.

Projekti i detajuar vendor për këtë bllok banesash parashikon edhe ndërtimin e shkollës profesionale, si dhe të gjithë infrastrukturën e nevojshme në shërbim të banesave.

E gjithë zona e kantierit të ndërtimit është 3.5 hektarë.

Kreu i Bashkisë së Kavajës, Redjan Krali e informoi kryeministrin po ashtu se po vijon shpërndarja e bonusit për banesat e dëmtuara pjesërisht nga tërmeti.

“Janë 1 209 kryefamiljarë që kanë përfituar bonusin për rikonstruksionin e banesave të dëmtuara nga tërmeti”, tha kreu i bashkisë.

Sipas ministrit Ahmetaj, në shtator të vitit që vjen banorët e këtij blloku pallatesh do të jenë në shtëpitë e tyre të reja./a.gjonaj/ /a.g/