Disa mund të dëshirojnë ta harrojnë vitin që sapo kaloi, sidoqoftë, objektet e mëposhtëm kanë për qëllim të jenë simbole të akteve, përvojave, ideve dhe ndryshimeve që ia vlen të ruhen, sipas një iniciative nga BBC Future.

Ndërsa viti i ri sapo ka nisur, nëpërmjet një kapsule kohore virtuale, ja një listë objektesh që lanë shenjë dhe që është e rëndësishme që brezat e nesërm t’i dinë, edhe 100 vjet nga tani.

Maska e fytyrës

Ndoshta artikulli më i qartë për t’u vendosur në këtë kapsulë hipotetike kohe. Pas 10 vjetësh, mund ta gjeni në një sirtar dhe të mrekulloheni me faktin se si ajo u bë një pjesë aq mbizotëruese e jetës në 2020.

Gjilpëra dhe peri

Thonë se “Pena është më e fortë se shpata”, por në 2020 gjilpëra dhe peri u bënë dy nga mjetet më të fuqishme kundër pandemisë vdekjeprurëse: gjatë skarcitetit për maska, disa copa pëlhure të bashkuara me pe e gjilpërë u dhanë mundësi komuniteteve të mbroheshin.

Komoditetet në shtëpi dhe lëvizja në lagje

Me aq shumë kohë të kaluar në bllokime gjatë 2020, mbase nuk është për t’u habitur që disa nga kandidatët e kapsulës janë një palë pizhama, një karrige zyre në shtëpi dhe karikuesi i celularit/laptopit.

Shumë zbuluan, gjithashtu, mënyra të reja për të lëvizur këtë vit, prandaj një sugjerim tjetër janë atletet dhe biçikleta.

Kontejneri i porosive dhe dërgesave

Puna në shtëpi ishte, sigurisht, një luks që shumë njerëz nuk e patën në 2020. Prandaj, me këtë në mendje, kandidatura tjetër është kontejneri i dërgesave, si mirënjohje për shoferët, punëtorët e dyqaneve dhe shumë profesioneve të tjera, që e mbajtën botën në lëvizje.

Mjedisi rrethues

Ndryshimi i mjedisit, për mirë apo për keq, është një sugjerim tjetër, që qe simbol i lidhjes midis natyrës afër shtëpisë dhe botës së gjerë.

Dru i djegur

Një kujtesë e dhimbshme që, përkundër ekzistencës së një pandemie globale, njerëzimi ende përballet me një krizë masive mjedisore, me zjarret që bënë kërdinë këtë vit.

Një shkëmb graniti i zhuritur nga zjarri, por që po fillon të rifitojë jetën, me eukaliptet, fieret duke u rigjeneruar mbi të.

Koka e rrëzuar e një statuje

Viti që kaloi u shenjua, gjithashtu, nga ndryshimet shoqërore, me protesta për barazinë njerëzore në të gjithë botën, prandaj për t’i përmbledhur ndryshimet e gjera dhe të larmishme në një objekt të vetëm u zgjodh statuja e John A Macdonald, kryeministrit të parë të Kanadasë, që u tërhoq zvarrë nga protestuesit në gusht për shkak të lidhjeve të tij me politikat mizore, që vranë shumë njerëz autoktonë në shekullin XIX.

Një gazetë e shtypur lokale

Mund të jetë një medium gjithnjë e më arkaik, por flet për atë që sapo lamë pas, ndërsa shkojmë më thellë në epokën dixhitale: një mjet i mirë për të demaskuar erozionin e së vërtetës dhe rritjen e keqinformimit.

Lidhja dhe kujdesi

Një nga temat më të njohura për në kapsulën virtuale të kohës, koncepti i komunitetit. Ndërsa në vitin 2020 pati shumë çaste tensioni dhe zemërimi, egoizmi dhe polarizimi, shumë njerëz zbuluan marrëdhëniet që kishin krijuar dhe fqinjësinë.

Dhuratat e së ardhmes

Një sërë materialesh mësimore, të mbledhura nën titullin “Libri i Mendimeve për të Ardhmen”, që përmban ushtrime ndërvepruese që do t’i ndihmojnë fëmijët e nesërm të parashikojnë dhe të ndikojnë në të ardhmen./ /ervo/