Kryeministri Edi Rama shprehu bindjen se “Shqipëria do të jetë kampione e turizmit dhe agroturizmit në Ballkan, kampione për bujqësinë, për energjinë, për dixhitalizimin në Ballkan”.
Në një takim me banorë të Elbasanit, Rama tha se “ditët dhe vitet që kemi para janë shumë më të mira se ato që po lëmë pas”.
Ne, tha Rama, “kemi ngritur themelet, kemi filluar të ngremë muret, por patjetër jemi ende në qiell të hapur, sepse shtëpia jonë e përbashkët, Shqipëria, ka nevojë ende për shumë punë”.
Ndaj, tha ai, “ne do të hapim 4 porta nga qielli dhe nga deti ku shumë turistë do të vijnë e do duan të hyjnë më thellë dhe do të duan më shumë punë për të pritur, ushqyer, treguar historinë tonë dhe rritur të ardhurat tona”.
Rama tha se “ne kemi mundësi të kemi një turizëm që shtrihet në të gjitha stinët dhe që të gjitha fshatrave t’u japim alternativa jo vetëm të prodhimit bujqësor, të eksportit që ne do ta rrisim mbi 1 miliard euro, por edhe të agroturizmit”.
Kryeministri solli në vëmendje transformimin e Belshit, i cili pret 4 mijë vizitorë çdo javë.
“Shikoni Belshin, nuk është më një ëndërr me sy hapur që unë e kam parë kohë më parë dhe thosha gjithmonë se në momentin që ne do të marrim drejtimin e vendit, do ta kthejmë në zemrën e agroturizmit. Mbase nuk isha në vete, sepse në Belsh për të shkuar duhej të kaloje në një rrugë plot gropa, liqeni ishte i mbuluar nga ferrat e plehrat”, tha Rama.
Çfarë kemi bërë, ju e dini, iu drejtua Rama qytetarëve, ndërsa shtoi se kemi bërë shumë, por unë dua t’ju flas pse jam këtu sot, për ca arsye unë sot këtu dhe në këtë ndeshje ju kërkoj shqiptarëve mbështetjen për një mandat të tretë për PS-në.
“Jam këtu, se jam i pakënaqur, se të gjitha gjërat që kemi bërë nuk janë të gjitha ato që mund, duhet dhe do bëjmë për Shqipërinë; sepse ne kemi një luftë të madhe për të fituar në 2 fronte, kundër pasojave të një tërmeti katastrofik dhe për ta nxjerrë përfundimisht Shqipërinë nga tuneli i pandemisë dhe për të qenë ne, Shqipëria e vogël, një vend nga më të shpejtët në Europë në luftën me armikun e padukshëm”, tha Rama.
Kryeministri tha se “sot, ne Shqipëria, ky vend i vogël, që nuk është ndër më të zhvilluarit e Europës, jemi në shoqëri me më të mirët në Europë për ritmin e vaksinimit”.
“Jemi atje lart dhe kjo do të thotë t’ia kesh dalë të kesh lehtësuar qindra-mijëra jetë, gjyshe dhe gjyshër, nëna e baballarë”, tha Rama.
“Ne këtu jemi për vazhduar të ngjitemi. Unë kam parë një ëndërr me sy hapur, kur kam vendosur të lë emigracionin dhe të kthehem të marr këtë rrugë bashkë me ju. Sot e shoh edhe me më shumë bindje se Shqipëria e ka vendin atje lart, në majë”, tha Rama.
“Mbyllini sytë për një moment dhe parafytyrojeni Shqipërinë nga veriu në jug, nga lindja në perëndim. Ku e gjen në një hapësirë kaq të vogël, vetëm 28 mijë kilometra katrorë një vend që të ketë të gjitha: 2 dete, gjithë ata lumenj, male, kodra, fusha të jashtëzakonshme, gjithë ato liqene? Si ka mundësi, pse nuk jemi ne sot në atë majë? Si ka mundësi që ne kemi lindur në këtë vend, ku Zoti ka bërë një nga pikturat e veta më të bukura dhe ne sot jemi ende këtu? Sepse atë që Zoti ka imagjinuar për shqiptarët kur e pikturoi sipas dëshirës Shqipërinë, dora e mbrapshtë e robit e pengoi të bëhet realitet duke ndërhyrë gjithmonë në ato momente kur i gjente shqiptarët të lodhur, të mërzitur, të pakënaqur, gati për t’u dorëzuar. Në ato momente u ofronin shqiptarëve rrugë të shkurtra, ndaj nuk e ka asnjë popull tjetër shprehjen që ‘rruga e shkurtër të nxjerr gjatë’, sepse gjithë ato rrugë të shkurtra e kanë bërë të gjatë rrugën e shqiptarëve”, tha Rama.
Ai tha se “kanë dalë në forma të ndryshme, me emra të ndryshëm, duke bërë gjëra të ndryshme, ata që i kanë marrë shqiptarët dhe i kanë çuar pas berihajit”.
“Sot ne jemi këtu për të shkuar pas pak ditësh në një provë të madhe të karakterit tonë. Mos harroni, njeriu nuk matet se sa i zoti është të qëndrojë në ditë të mira, por sa i zoti është të qëndrojë dhe vazhdojë të ngjitet në ditë të vështira”, tha Rama.