ATSH/ – BE i vlerëson marrëdhëniet e mira dhe partneritetin me vendet e tjera, veçanërisht me ato që ndodhen përgjatë kufijve të saj dhe, përmes një sërë iniciativash, që nga marrëveshjet e tregtisë së lirë deri tek partneritetet, ajo kërkon të stimulojë tregtinë dhe bashkëpunimin si dhe të inkurajojë demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, thuhet në një editorial në faqen zyrtare të Parlamentit Europian, https://www.europarl.europa.eu.

”Kjo vlen edhe për vendet përgjatë kufijve të saj lindorë. Në fakt, vendet në Ballkanin Perëndimor mund të jenë vendet e ardhshme për t’u anëtarësuar në BE.

Vendet kandidate përfshijnë Malin e Zi, Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Bosnje-Hercegovina dhe Kosova janë kandidate të mundshme.

BE gjithashtu ka krijuar Partneritetin Lindor, një kornizë për bashkëpunim midis BE-së dhe fqinjëve lindorë si Gjeorgjia, Moldavia, Ukraina, si dhe Armenia, Azerbajxhani dhe Bjellorusia.

Përveç ndihmës së këtyre vendeve me shpërthimin e Covid-19, BE po reflekton gjithashtu se si të thellojë marrëdhëniet.

Mbështetje për të luftuar pandeminë Covid-19

Përveç 3,07 miliardë eurove, të njoftuara në prill, nga burimet ekzistuese, më 15 maj, Parlamenti Europian miratoi 3 miliardë euro kredi të favorshme për të ndihmuar fqinjët e BE dhe vendet partnere të merren me pasojat nga Covid-19: Shqipëria (180 milionë euro), Bosnje-Hercegovina (250 milionë), Gjeorgjia (150 milionë), Jordania (200 milionë), Kosova (100 milionë), Moldavia (100 milionë), Mali i Zi (60 milionë), Maqedonia e Veriut (160 milionë), Tunizia (600 milionë) dhe Ukraina (1,2 miliardë).

Masat e tjera konkrete të BE-së përfshijnë një iniciativë të re për sigurinë shëndetësore me Qendrën Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve. Iniciativa 9 milion euro mbulon të gjitha 23 vendet e rajonit dhe përqendrohet në ndërtimin e kapaciteteve për epidemiologët dhe stafin e shëndetit të parë në vendet partnere.

Marrëdhëniet në të ardhmen

BE aktualisht po reflekton në mënyrën më të mirë për të përparuar marrëdhëniet me fqinjët e saj lindorë dhe PE është i prirur të kontribuojë.

Më 17 qershor Parlamenti do të votojë një rezolutë në lidhje me vendet e Ballkanit Perëndimor në të cilin eurodeputetët i bëjnë thirrje BE të bëjë më shumë për procesin e zgjerimit me këto vende.

Parlamenti ka qenë gjithmonë në favor të vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë mundësinë të anëtarësohen në BE, pasi të jenë gati. Në një rezolutë të miratuar tetorin e kaluar, Parlamenti shprehu zhgënjimin që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk ishin në gjendje të fillojnë bisedimet e pranimit, duke theksuar se procesi i zgjerimit ka luajtur një rol vendimtar në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

Disa muaj më vonë, në mars, Këshilli Europian vendosi të fillojë negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Më 17 qershor, PE do të votojë gjithashtu për një rezolutë në lidhje me Partneritetin Lindor, i cili merret me mënyrën se si eurodeputetët duan që partneriteti të zhvillohet.

Në maj të vitit 2019, Komisioni Europian nisi një konsultim mbi të ardhmen e Partneritetit Lindor për të ndihmuar në identifikimin e objektivave të reja të politikës. Kjo çoi në një komunikim mbi politikën e Partneritetit Lindor, përtej vitit 2020, të miratuar nga liderët e BE-së në maj të vitit 2020.

Hapi tjetër është samiti i Partneritetit Lindor, më 18 qershor 2020./ a.jor.