TIRANË, 20 qershor/ATSH/ Autoritete të larta shtetërore, politikanë, familjarë e miq zhvilluan sot homazhe në Muzeun Historik Kombëtar, në nder të studiuesit, historianit dhe shkrimtarit të njohur, Moikom Zeqo, i cili ndërroi jetë disa ditë më parë.

Presidenti Ilir Meta u shpreh se “Moikom Zeqo ishte një i majtë në bindjet e tij, një i majtë me bindje të forta demokratike”. “Ai ishte ndër kontribuesit kryesor të hapjes dhe të emancipimit të PS-së, të mbështetjes së të rinjve si unë por edhe të tjerëve, Majko e të tjerë, për të bërë një transformim të së majtës në Shqipëri dhe për të ndërtuar një alternativë konkurruese në momentet më të errëta të së majtës, fundi i ’91-1992. Edhe brenda PS-së ai ishte një personalitet gjithmonë kritik e parimor, një personalitet i cili ishte gjithmonë problematik me çdo lloj pushteti, por i dashur dhe i adhuruar nga qytetarët për vlerat që kishte”, tha Meta.

Sipas tij, “Moikom Zeqo kishte një vështrim shumë largpamës dhe gjithmonë u vendos në anën e duhur të historisë e të zhvillimeve”. “Ndaj sot të gjithë ndihen se kanë humbur diçka nga vetja e tyre. Ai është një personalitet që i dha Shqipërisë shumë më tepër se sa mori prej saj. Padyshim që është një personalitet me kontribut të jashtëzakonshëm për atë mbrojtje të shkëlqyer që i ka bërë historisë kombëtare, trashëgimisë tonë kulturore, por edhe për atë vështrim kritik që kërkonte gjithmonë një Shqipëri më të drejtë, përfshirëse dhe humane  në shërbim të qytetarëve më të thjesht”, tha Meta.

Ai tha se “për të gjitha këto ai do të mbetet një personalitet frymëzues për të ardhmen dhe për të gjithë, sidomos për gjeneratën më të re”.

Edhe Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, bëri homazhe në nderim të ish-deputetit, intelektualit të shquar poliedrik, Moikom Zeqo.

Ruçi shoqërohej nga Zëvendëskryetarja, Vasilika Hysi, dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko tha se historiani Moikom Zeqo do të mbetet për të gjithmonë një mik.

“Për mua ai mbetet shok, mik. Është pjesë e asaj kur flasim për grupin parlamentar të PS, kam në mendje grupin më të mirë që kemi pasur grupin ’91-’96. Ai ishte ndër më të veçantit e atij grupi. Nuk e them se është rasti, por ai i tillë ishte. Jo vetëm ishte një politikan i mirë, por mbi të gjitha një njeri i mirë”,- tha Majko.

ATSH