TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Në ambientet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Korçë u zhvillua një takim sensibilizues me prodhuesit e bukës, në kuadër të masave kundër COVID-19.
Drejtoria Rajonale e AKU-së Korçë vijon kontrollet dhe monitorimin në subjektet ushqimore për zbatimin e ligjit për sigurinë ushqimore, njëherazi dhe këshillimin e biznesit për respektimin e protokolleve kundër COVID-19.
Në këtë kuadër, gjatë takimit me të gjithë prodhuesit e bukës nga qarku Korçë u theksua fakti i zbatimit me përpikëri i të gjitha udhëzimeve të dhëna
Daniel Bojko, drejtori i AKU-së Korçë, bëri me dije në këtë takim, se fokusi i kontrollit të inspektorëve ka qenë mosprerja e bukës e cila është e ndaluar rreptësisht nga njësitë e tregtimit si dhe mënyra e shpërndarjes së bukës që duhet të kryhet me mjete të posaçme transporti, që plotësojnë kushtet e higjienës.
Ai tha se, në kushtet e situatës së mbrojtjes nga pandemia, nuk do të ketë tolerim në subjektet që nuk zbatojnë protokolleve e sigurisë ushqimore siç janë; ndalimi i prerjes së bukës, mbajtja e maskave, dorezave, distancimi fizik në radhë dhe respektimi i higjienës.
“Të jemi zbatues të ligjit, për mbrojtjen e sigurisë ushqimore, askush nuk ka pse të penalizohet”, – tha Bojko.
ATSH