Një studim të cilit i referohet AgroWeb.org ka arritur në konkluzionin se njerëzit që kanë grup gjaku A janë 45% më të rrezikuar nga koronavirusi.
Studiuesit analizuan të dhënat e 1,900 personave në Spanjë dhe në Itali, të cilët ishin të sëmurë nga COVID-19 dhe i krahasuan ato me analizat e 2,000 personave të tjerë që nuk ishin sëmurë.
Në mars të këtij viti, një studim kinez sugjeroi se njerëzit që kanë grupin e gjakut A, janë ndjeshëm më të rrezikuar nga infeksioni me COVID-19, në krahasim me grupet e tjera të gjakut.
Sipas gjetjeve, njerëzit që kanë një grup gjaku 0 mund të jenë më të mbrojtur prej koronavirusit.
Ky studim i marsit i shqetësoi ekspertët, sipas të cilëve, njerëzit me grupin e gjakut A mund të shqetësohen ose të panikosen prej këtyre të dhënave ndërkohë të tjerët mund të jenë më neglizhentë ndaj masave të higjenës.
A Duhet Të Frikësohen Njerëzit Me Grupin e Gjakut A?
Sakthi Vaiyapuri, ekspert pranë Universitetit të Reading në Mbretërinë e Bashkuar, nënvizon se njerëit që kanë grupin e gjakut A, nuk duhet të frikësohen nga gjetjet e para të studimit të lartpërmendur.
“Të dhënat për arritjen e kësaj hipoteze janë të pamjaftueshme për të pretenduar me gojën plot se ka një lidhje të fortë mes grupit të gjakut dhe gjasave për tu sëmurë nga COVID-19,” thotë ai.
“Për arritjen e këtij konkluzioni, duhet të analizohen shumë parametra, ndaj këto gjetje kanë argumenta që nuk mbështeten nga komuniteti shkencor,” shtoi Vaiyapuri. Sipas tij, gjetjet e ekspertëve kinezë mund të jenë thjesht rastësore dhe se situata aktuale vazhdon të mbetet e paqartë.
Grupet e Gjakut Dhe Sëmundshmëria
Ekspertët sugjerojnë se shumë prej sëmundjeve të njohura kanë lidhje të drejtpërdrejtë me grupin e gjakut të njeriut.
Ata thonë se njerëzit që kanë një grup gjaku AB janë më të rrezikuar nga goditjet në tru dhe nga ngadalësimi i aftësive të të nxënit.
Njerëzit që kanë grup gjaku 0, janë më të mbrojtur ndaj atakut në zemër dhe tromboza venoze.
Njerëzit me grup gjaku B janë më të mbrojtur prej sëmundjeve të sistemit tretës ndryshe nga të gjitha grupet e tjera të gjakut.
AgroWeb.org