ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot Kryetarin e Këshillit Drejtues të AKEP-it, Tomi Frashëri, i cili i dorëzoi Raportin Vjetor të veprimtarisë së AKEP-it për vitin 2019.
Frashëri e informoi Kryetarin e Kuvendit mbi veprimtaritë më të rëndësishme të institucionit gjatë vitit 2019 si edhe për disa probleme të reformimit dhe modernizimit të këtij institucioni, për arritjen e standardeve ndërkombëtare të komunikimeve elektronike, si përmirësimi i kuadrit ligjor dhe përgatitjet për fillimin e implementimit të Kodit Europian të Komunikimeve Elektronike.
Ruçi nënvizoi se AKEP do të ketë në çdo kohë mbështetjen maksimale të Kuvendit të Shqipërisë dhe këshilloi se AKEP duhet të rrisë përpjekjet për përafrimin e legjislacionit mbi komunikimet elektronike me legjislacionin e BE-së si edhe të intensifikojë bashkëpunimin me komisionet e përhershme parlamentare dhe deputetët për përshpejtimin e përmirësimit të kuadrit ligjor dhe rregullator.
Po ashtu në takim u diskutua mbi zhvillimet më të fundit në fushën e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike, mbi ndikimin e situatës së fatkeqësisë natyrore, shkaktuar nga pandemia COVID-19, në tregjet përkatëse, në performancën e operatorëve dhe në përmbushjen e detyrave ligjore dhe funksionale të AKEP në mbështetje të një aksesi sa më të garantuar dhe cilësor të konsumatorëve në këto rrjete dhe shërbime.
Kryetari i Kuvendit u njoh gjithashtu me pjesë të strategjisë së AKEP dhe impaktin e tyre legjislativ dhe teknologjik në kuadër të politikave sektoriale të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë si dhe të detyrimeve që rrjedhin nga implementimi i direktivave dhe i rekomandimeve të Bashkimit Europian.
Kryetari i Kuvendit ftoi AKEP të kontribuojë nëpërmjet ekspertizës dhe vendimmarrjes së tij specifike në përgatitjen e vendit tonë për të diskutuar në mënyrë efiçente kapitullin 10 të negociatave për anëtarësim në BE, atë të Shoqërisë së Informacionit.
Në përfundim, një vëmendje e posaçme iu kushtua koordinimit dhe ndërveprimit me institucionet e tjera të pavarura dhe në ndjekjen e detyrave praktike që u caktuan nga Kryetari i Kuvendit gjatë takimit periodik të punës së Mekanizmit Ndërinstitucional Kuvend-Institucione të Pavarura- Qeveri mbajtur më 7 maj 2020./m.m/ /a.g/