ATSH/ Eksportet bujqësore në total kanë shënuar një rritje me 14% në vitin 2021 krahasuar me vitin 2020.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca bëri të ditur sot se, “për sa i takon frutave dhe perimeve kemi një rënie me 38 milionë lekë, krahasuar me vitin 2020. Por në totalin e eksporteve bujqësore jemi me rritje nga viti në vit”.

Krifca tha se, “kemi rritje të eksporteve të produkteve të përpunuara dhe kjo për bujqësinë shqiptare është një peshë e mirë, sepse do të thotë që vlera e produkteve primare të Shqipërisë mbetet në vendin tonë, duke çuar kështu më shumë vlerë në paga në përpunim çka është edhe synimi që ne kemi”.

“Synimi ynë është që të rrisim përpunimin në Shqipëri, të rrisin vlerën të qarkullojë para brenda vendit tonë. Ndaj në aspektin e totalit të eksporteve bujqësore ne jemi me rritje”, deklaroi ministrja në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit. /j.p/