ATSH – I. Vata/- Këshilli Bashkiak i Kukësit në mbledhjen e sotme i dha titullin qytetar nderi Zylfi Ramazan Tolës me propozim nga veteranët e Luftës me motivacionin për kontributin e shquar për pasqyrimin e aktiviteteve mediatike, artistike-kulturore, promovimin dhe organizimin e veprimtarive sportive si dhe për zhvillimin e arsimit në rrethin e Kukësit.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Safet Gjici vlerësoi kontributin e tij për Kukësin kryesisht në arsim dhe media.

Këshilli vendosi miratimin e projektvendimit për dhënien e ndihmës ekonomike 6% për muajin maj ku përfitojnë 453 familje.

Po ashtu, u miratua projektvendimi i ndryshimeve në administratën e bashkisë ku do të krijohet një drejtori e Integrimit Europian dhe Diasporës.

Pas diskutimeve, u miratuan edhe disa ndryshime në projektbuxhetin 2020.

Këshilli Bashkiak mori në diskutim edhe projektvendimin për dhënien me qira të hapësirave publike të telefonisë celulare.

Kryetari i bashkisë Kukës Gjici, sqaroi se bëhet fjalë për dhënien me qira të hapësirave publike kompanive të mëdha, duke përdorur sipas ligjit për të lidhur kontrata me një afat, por me parë vendimi duhej të kalonte në Këshillin Bashkiak.

Gjithashtu, Këshilli vendosi heqjen e mandatit të 7 anëtarëve të Këshillit Bashkiak pas dorëheqjes, si dhe dhe vendosjen e kryetarëve të fshatrave. /j.p/