ATSH/-Shqipëria është një vend i pasur me bimë mjekësore aromatike dhe aktor kryesor në eksportin e tyre në tregjet ndërkombëtare.
Natyra i ka falur Shqipërisë bimësitë e egra me bimë mjekësore (si sherebela, rigoni, timusi, trumza etj) që janë mjaft të kërkuara në tregjet e huaja si SHBA, Gjermani, Turqi etj. Ndaj dhe vëmendja e fermerëve për zgjerimin e sipërfaqeve të mbjella me këto bimë, po vjen në rritje, falë edhe mbështetjes nga projektet e ndryshme.
Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim (USAID) bën të ditur se, përmes projektit të saj për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore (PLGP) u ka ofruar fidanë ciani dhe bimë të tjera aromatike-mjekësore (BAM) 47 fermerëve në bashkitë Bulqizë, Cërrik e Dibër.
Fermerët janë trajnuar gjithashtu për kultivimin dhe përmirësimin e prodhimit nga këto bimë.
Me ndihmën e projektit, fermerët kanë filluar të bashkojnë ngastrat e tokës; duke punuar së bashku, ato do të ulin kostot dhe do të rrisin të ardhurat, nga ky aktivitet biznesi.
“Falë USAID-it dhe ekipit të ekspertëve, ne po marrim dijet e nevojshme për çdo fazë të prodhimit”, thotë Festimja, fermere në Cërrik. /a.a/