ATSH/ Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka finalizuar aplikimin në programin ndërkombëtar “Best Tourism Villages” nga Organizata Botërore e Turizmit.
Kjo nismë vlerëson fshatrat të cilët kanë ruajtur identitetin, trashëgiminë dhe natyrën e tyre, duke zhvilluar turizmin në mënyrë të qëndrueshme.
Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila i konsideroi fshatrat shqiptarë një aset turistik.
Kumbaro bëri të ditur se nëpërmjet këtij aplikimi sillen në vëmendje 6 fshatra të jashtëzakonshëm që përfaqësojnë pasurinë dhe shumëllojshmërinë e Shqipërisë rurale.
“Nga majat e thepisura deri tek fushat pjellore e nga gurët e lashtësisë tek ngjyrat e jetës së përditshme. Shqipëria konkurron mes 65 shteteve, me plot 270 fshatra që garojnë për titullin Best Tourism Village”, tha ministrja Kumbaro.
/m.m/j.p/