Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka dhuruar gjysmën e pagës së tij për menaxhimin e pandemisë së Covid-19.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu përmes një postimi në Facebook.

”Në kohën kur sfida është e përbashkët ashtu sikurse edhe qëllimi, solidariteti ndaj njëri-tjetrit nuk është vetëm nevojë, por edhe detyrim. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot ka dhuruar 50% të pagës së tij, përkatësisht 684.83 EUR, për menaxhimin e COVID-19”, shkruan Kryeziu.

Ndërkohë Kryeziu ka thënë gjithashtu se diaspora i është përgjigjur thirrjes së Kurtit që ta ndihmojnë Kosovën financiarisht në kohën kur vendi po përballet me pandeminë e koronavirusit.

”Diaspora po vazhdon t’i përgjigjet thirrjes për mbështetje financiare. Deri më tani, ndihma e tyre ka kaluar vlerën monetare prej 300.000 EUR. Diasporës i garantojmë transparencë dhe llogaridhënie në shfrytëzimin e mjeteve të dhuruara, dhe u jemi falënderues gjithmonë dhe gjithnjë. Qeveria Kurti është e përkushtuar që të fuqizojë rolin e mërgatës në vend, dhe për këtë jemi zotuar në programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, përfundon zëdhënësi i qeverisë.

Deri më tani në Kosovë janë shënuar 11 viktima nga Covid-19 dhe janë infektuar 423 persona.

Ora News