ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi vizitoi sot shkollën shqipe “Alba Life” në Staten Island, Nju-Jork.
Kushi u takua me mësues të përkushtuar që u mësonin fëmijëve shqiptarë gjuhën shqipe.
Ndërsa i falënderoi për kontributin e çmuar që ata japin, Kushi shprehu vullnetin e palëkundur për ruajtjen dhe forcimin e gjuhës shqipe, jo vetëm në Shqipëri por edhe në të gjitha trevat shqiptare dhe në diasporë.
Vizita e Ministres Kushi në këtë shkollë shqipe kishte për qëllim që të shihte nga afër punën që bëjnë mësuesit shqiptarë për të ruajtur gjuhën, kulturën, traditat dhe zakonet shqiptare, si dhe për t’u njohur nga afër me problematikat që ato hasin në përditshmërinë e tyre.
Ministrja Kushi mori pjesë në punimet e Samitit Global të Arsimit 2022, i cili u zhvillua gjatë tre ditëve, në datat 16, 17 dhe 19 shtator 2022 në Nju-Jork.
Në përmbyllje të këtij samiti, më 19 shtator, përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrëse u mobilizuan për të bërë më shumë përpjekje në drejtim të transformimin të arsimit.