Mjeshtri i zërit të Radio Tiranës, siç e njihnin të gjithë Kristaq Katundin, nuk jeton më. Ai është ndarë nga jeta në orët e vona të mbrëmjes së djeshme.

Lajmin e trishtë e jep Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.

“I njohur dhe vleresuar si emblemë e audiomontazhit artistik,  një emër të cilin rrallëkush mund të mos e ketë dëgjuar në realizimin teknik të Radiodramatizimeve të dikurshme të Radio Tiranës, bashkepunetori i vyer Kristaq Katundi u nda nga jeta.

 

Me punën e palodhur, me aftësitë profesionale, realizoi teknikisht emisone të tilla si:  Teatri në mikrofon, Heroizmi i popullit tonë në shekuj, Fjala artistike në mikrofon, Emisionet humoristike, Radiodramatizimet për fëmijë, Teatrin e Fëmijëve në mikrofon, Radiopërrallat, Teatrin e Kukullave në mikrofon, e sa e sa realizime finalizuar falë mjeshtërisë së tij.

Një mori regjistrimesh muzikore, Koncerte simfonike, Festivale kombëtare të këngës për fëmijë e të rritur, solistë e grupe të ndryshme popullore e të lehta, ansamble folklorike e muzikë filmash, janë regjistruar e transmetuar cilësisht falë profesionalizmit të operatorit Kristaq Katundi, emrin e të cilit ruan pothuaj çdo regjistrim prej vitit 1972-2014.

Do kujtohesh përjetë Kristaq Katundi, i përjetësuar në krijimin radiofonik.

Pushofsh në paqe MJESHTËR!

Unioni i Gazetareve Shqiptare u shoreh ngushellimet familjes Katundi dhe gjithe te afermve te mjeshtrit te paharruar te radios shqiptare”, thuhet në njoftimin e UGSH.