Në deklaratat e fundit Lukashenko ka pretenduar se nuk ka pasur kërkesë formale nga OSBE-ja për një vizitë të organizatës atje me qëllim ndërmjetësimin për krizën që ka pllakosur vendin.
Për këtë arsye ditën e djeshme një letër e firmosur nga kryeministri Edi Rama, si kryesues i radhës së saj dhe ministrja e Jashtme të Suedisë, Ann Linde, vendi i së cilës do të mbajë presidencën e ardhshme, rithekson kërkesën zyrtarisht.
Dy firmëtarët shkruajnë aty se janë duke ndjekur nga afër dhe me mjaft shqetësim zhvillimet në vend. Ata vënë në dukje dëshirën për të vizituar Bjellorusinë në mënyrë që të shohin nga afër situatën e për të diskutuar mbi sfidat me të cilat përballet vendi aktualisht.
“Bjellorusia është një shtet i rëndësishëm pjesëmarrës i organizatës sonë dhe jemi të gatshëm ta zgjerojmë mbështetjen për të”, thuhet në letër.