ATSH/ Vullnetarizmi në Elbasan po ecën me hapa të shpejtë ku një mbështetje të madhe kanë dhënë të rinjtë, por edhe vetë qytetarët.

I pranishëm në konferencën me temë “Vullnetarizmi në pushtetin lokal”, për të ndarë një praktikë të mirë të angazhimit vullnetar të bashkisë Elbasan, kryetari i bashkisë Gledian Llatja ndau me panelin eksperiencën e mirë që ka ndërmarrë bashkia, duke e vënë theksin tek vullnetarizmi i qëndrueshëm dhe angazhimi institucional dhe jo vetëm.

“Kur flasim për vullnetarizmin do të vlerësoja diasporën tonë, e cila na ka mbështetur gjithmonë. Që herët, pa u krijuar shteti shqiptar, ne gjithçka e kemi ndërtuar vullnetarisht në qytet, duke filluar nga kulla e sahatit funksionale në qendër të qytetit edhe sot, institucione, biblioteka, monumente dhe shumë gjëra të tjera, të cilat ne vazhdojmë t’i kemi akoma dhe t’i ruajmë si trashëgimi, janë kryer pikërisht nga kjo iniciativë vullnetare, iniciativa të cilat nuk konsistojnë vetëm në ndërtime shtëpish kryesisht në zonat malore të dëmtuara nga tërmeti”, nënvizoi Llatja.

Llatja u shpreh se “sot ne po zhvillojmë praktikat më të mira të vullnetarizmit, po bashkëpunojmë me njëri tjetrin, me qytetarët, me diasporën tonë, me organizata, pikërisht për të arritur më të mirën atë që ne kemi dëshirë, të arrijmë qëllimin kryesor, i cili është ndërgjegjësimi vullnetarizmit të qëndrueshëm në të gjitha qytetet dhe komunitetet tona”.

“Ne në Elbasan kemi bërë disa iniciativa të mira, më herët në nisje të mandatit tim si kryetar bashkie na lindi si nevojë për ti ardhur në ndihmë zonave malore për shkak të zjarreve masive që kishte dhe vështirësisë që kishim ne nga qyteti ti shkonim zonave malore, ndaj ngritëm struktura të qëndrueshme vullnetare jo vetëm për ti ardhur në ndihmë Emergjencave Civile, por tashmë për ti kthyer në një shembull të mirë të të gjitha problematikave që ne kemi në qytet”, tha Llatja.

Kryebashkiaku Llatja shtoi se “vullnetarizmi po rikthehet, pasi shoqëria po e kupton që është i nevojshëm, ndaj duhet të punojmë të gjithë bashkë që ta bëjmë sa më të qëndrueshëm”.

Në konferencë ishte e pranishme edhe ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi.