ATSH/ Peshëngritësja 18-vjeçare Enkileda Carja ka sjellë sot një tjetër medalje për Shqipërinë në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026. Carja u rendit e treta në stilin e shkëputjes në kategorinë 69 kg, duke ngritur 100 kg.
Carja ishte e sukseshme në dy tentativa nga tri që pati në dispozicion. Në të parën ajo ngriti me sukses shtangën 98 kg, ndërsa në të dytën ia doli që të kishte sukses, edhe pse shtoi dy kg më shumë. Ndërsa në provën e saj të tretë Carja tentoi mendaljen e artë duke vendosur veten në provën e vështirë të 103 kg, por nuk pati sukses.
Enkileda Carja mori pjesë edhe në garën e shtytjes, ku ishte e saktë vetëm në tentativën e parë. Peshëngritësja kuqezi ia doli që të ngrinte shtangën 116 kg në provën e parë të saj, ndërsa dështoi në dy të tjerat, me shtangat në 121 kg dhe 122 kg.
Kujtojmë që rezultati më i mirë i Enkileda Carjes është 103 kg në shkëputje dhe 123 kg në shtytje, arritur në kampionatin Evropian të të Rinjve në Batumi (Gjeorgji), zhvilluar në muajin prill, ku fitoi edhe çmimin “Ylli në Ngritje i Europës 2025”.
Ky është një tjetër sukses për ekipin tonë pjesëmarrës në këto lojëra, pas dy medaljeve të marra nga peshëngritësi Briken Calja, i cili fitoi sot një të artë e një të bronztë.
Sportisti shqiptar, i cili garoi në kategorinë 75 kg, tregoi një formë të shkëlqyer duke realizuar tri prova të pastra në stilin e shkëputjes me 147 kg, 152 kg dhe 154 kg.
Kjo paraqitje dominuese i siguroi atij medaljen e artë dhe vendosjen e tre rekordeve të reja mesdhetare në këtë disiplinë.
Në stilin e shtytjes, Calja ngriti 184 kg duke thyer një tjetër rekord mesdhetar dhe duke marrë medaljen e bronztë.
Me këto medalje Shqipëria arrin në kuotën e 6 medaljeve deri sot: 2 ari (Islam Dudaev, Briken Calja), 1 argjendi (Zelimkhan Abakarov) dhe 3 bronzi (Ardit Zeneli, Briken Calja, Enkileda Carja).



























