ATSH-AFP/ – Shërbimet shëndetësore britanike ndërmorën sot në Angli një sistem të gjerë gjurmimi të kontakteve të të sëmurëve të prekur me COVID-19, konsideruar si vendimtar për shoqërimin e fazës së re të lehtësimit të kufizimeve parashikuar në ditët e ardhshme.
“Britania e Madhe është vendi i dytë më i goditur në botë nga COVID-19, me 37 000 të vdekur”, sipas një analize të “Financial Times”.
Akuzuar për marrje të vonuar të masave kufizuese për të luftuar kundër epidemisë, kryeministri britanik, Boris Johnson është tashmë përballë sfidës për të pasur një lehtësim të suksesshëm të masave kufizuese pavarësisht konfuzionit rreth lehtësimeve të para dhe skandalit të shkaktuar nga shkelja e masave kufizuese të këshilltarit të tij, Dominic Cummings.
Për të shmangur një valë tjetër të pakontrolluar të kontaminimeve, që prej sot, çdo person i testuar pozitiv me koronavirusin e ri në Angli do të duhet komunikojë ndërveprimet e tij të fundit tek grupet e posaçme të shërbimit të shëndetit publik (NHS).
Personat që kanë pasur kontakt me një rast pozitiv do të duhet të izolohen për 14 ditë, nëse shfaqin ose jo simptoma.
Rreth 25 000 persona janë punësuar për gjetjen e personave të ekspozuar me të sëmurët me COVID-19./ /ec/b a.jor.