ATSH/ Në kuadër të luftёs kundёr kultivimit të bimëve narkotike u zhvillua ditën e sotme në ambientet e institucionit të Prefektit të qarkut Gjirokastër takimi i radhës antikanabis.

Të pranishëm ishin Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, drejtues të lartë të bashkive Libohovë e Dropull si dhe administratorët e njësive administrative të të dyja bashkive.

Prefekti i qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj, në cilësinë e Kryetarit të kësaj Taskforce Vendore ka kërkuar më shumë bashkëpunim ndërmjet kryepleqve të fshatrave dhe administratorëve të njësive administrative për identifikimin e tokave të kultivuara me bimë narkotike dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve.

Gjithashtu, njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të koordinojnë veprimtarinë e tyre me institucionet e tjera vendore, pjesë e Taskforcës, me qëllim krijimin e grupeve të përbashkëta për monitorimin, kontrollin dhe parandalimin e kultivimit të kanabisit në zonat me risk të lartë.

Forcat e Policisë së Shtetit, duke kombinuar monitorimin nga ajri me kontrollet në terren, në bashkëpunim edhe me pushtetin vendor, nuk do të lejojnë më që qarku Gjirokastër të përfshihet në listën e zezë të kultivimit të bimëve narkotike.

Në përfundim, Prefekti i qarkut ka lënë edhe detyrat përkatëse për bashkitë respektive, duke kërkuar me ngulm vëmendje të shtuar në parandalimin e këtij fenomeni regresiv, si një përgjegjësi primare jo vetëm e një institucioni, por e të gjitha institucioneve monitoruese e ligjzbatuese në qark./k.s/ /a.a/