/ATSH/- Bashkia Korçë ka konkretizuar hapin e parë të rëndësishëm në luftën ndaj procesionares, ose siç njihet ndryshe sëmundja e pishës.

600 kampionë të insektit Calosoma, i cili lufton në mënyrë natyrore procesionaren janë shpërndarë në kodrat e qytetit të Korçës, ku ka një bimësi të dendur me pisha dhe pyje të tjerë.
Bashkia Korçë njofton se, kjo është një përvojë e testuar në laboratorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fakulteti i Pyjeve që do të shtrihet në tri faza për të rikthyer balancën natyrore në zonat pyjore të Korçës.

Në nisje të këtij procesi ishin të pranishëm kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, kreu i Komisionit të Kuvendit për Vepimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Niko Peleshi,  profesorë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe ekspertë të linjës.

Sipas ekspertëve të fushës, qëllimi është që Calosomën ta vendosim në kushtet e shtimit natyrorqë, në pyjet e pishave, ku ato të përdorin si ushqim procesionaren.

Ky model, sipas tyre, synon të mbajë nën kontrroll dëmet e shkaktuara nga procesionarja në vendin tonë. /j.p/