Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ina Majko, theksoi sot se me nisjen e vitit të ri shkollor, mbështetja për fëmijët dhe familjet e tyre vijon përmes shërbimeve të dedikuara.

“Shkolla nis dhe çdo fëmijë meriton të ndihet pjesë e saj. Përfshirja do të thotë mbështetje për fëmijët me aftësi të kufizuara, për fëmijët romë dhe egjiptianë dhe për çdo familje që ka nevojë për ndihmë”, u shpreh Majko.

Ajo theksoi se mësuesit ndihmës, shërbimi psikosocial dhe mbështetja sociale janë pjesë e mekanizmave që synojnë të garantojnë përfshirjen e fëmijëve në procesin arsimor.

“Më shumë se 70 mijë fëmijë kanë marrë pjesë në hartimin e Agjendës Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve 2027–2030, duke kontribuar në përcaktimin e prioriteteve që lidhen me të drejtat dhe mirëqenien e tyre. Në shkolla mbështeten më shumë se 5300 fëmijë me aftësi të kufizuara, të cilët kanë pranë tyre më shumë se 2600 mësues ndihmës”, theksoi Majko.

Ndërkohë, shtoi zv/ministrja Majko, më shumë se 700 fëmijë romë dhe egjiptianë përfitojnë mbështetje për ndjekjen e arsimit, përmes transportit falas, bursave dhe masave të tjera mbështetëse.

“Një rol të rëndësishëm luan edhe shërbimi psikosocial, ku më shumë se 800 punonjës ofrojnë mbështetje për fëmijët dhe familjet e tyre. Po ashtu, janë ngritur 55 shërbime në 39 bashki, të dedikuara për fëmijët dhe familjet, duke krijuar një rrjet mbështetës që lidh familjen, shkollën dhe bashkinë”, tha ajo.

Sipas saj, çdo fëmijë ka të drejtë të mësojë, të rritet dhe të ndihet i përfshirë.

/k.s/j.p/