ATSH/- Mbi 65% e fermerëve kanë aplikuar deri tani në Skemën Kombëtare të mbështetjes në Bujqësi 2020, në bashkinë e Maliqit.

Arben Dulellari, Drejtor i Bujqësisë në bashkinë Maliq, tha sot për ATSH-në se, “nga rreth 13 mijë e 400 fermerë të regjistruar me fermën e tyre, 65% e tyre kanë aplikuar online në e-Albania, me zero dokumente, në programin e qeverisë për të përfituar mbështetje financiare në zgjerimin e aktivitetit të tyre bujqësorë”.

Bletaria dhe blegtoria janë dy sektorët kryesorë për të cilët fermerët e Maliqit, kanë treguar interesin më lartë të përfitojnë nga Skemat e Mbështetjes.

“Ndërkohë që numri i fermerëve aplikantë këtë vit, krahasuar me një vit më parë është dyfish më i lartë dhe interesi po vijon të rritet për të aplikuar edhe në 6 ditët e mbetura deri në mbylljen e këtij procesi”, tha Dulellari.

AZHBR njofton se thirrja për aplikimin e fermerëve në Skemën Kombëtare të mbështetjes në Bujqësi 2020, është hapur më 16 maj dhe do të mbyllet më 19 qershor 2020.e.xh//a.a/