TIRANË, 8 qershor /ATSH/- Fasulja pllaqi krahas patates e mollës, janë kulturat që e avantazhojnë qarkun e Korçës, të konkurrojë denjësisht në eksportet bujqësore në tregjet e huaja.
Fasulja kokërrmadhe e njohur ndryshe me emrin pllaqi, është një kulturë tradicionale e fermerëve të fshatit Kreshpanj, në Njësinë Administrative Pojan, të Korçës.
Drejtori i Bujqësisë Maliq, Arben Dulellari i tha ATSH-së se, “Në kuadër të programit të BE-së, bashkia Maliq po bashkëpunon për më shumë se një vit me projektin italian për certifikimin bio të fasules pllaqi”.
Aktuaisht tha ai, janë kryer të gjitha fazat e testimit laboratorik në Itali dhe jemi në pritje të certifikimit bio të fasules pllaqi, që i hap rrugë eksportit të sigurt të kësaj kulture në tregjet e huaja.
“Falë punës së palodhur të fermerëve dhe mbështetjes që po adreson Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, prodhimi i kësaj kulture po shënon rritje. Aktualisht bima është në fazën e ngritjes dhe fermerët po vendosin sisteme mbështetëse. Këtë vit ka një rritje të sipërfaqes së kultivuar me 10-15 %, krahasur me një vit më parë, sepse çmimi i shitjes së prodhimit të vitit të kaluar qe i kënaqshëm”- tha Dulellari.
Gjithashtu u shpreh ai, në bashkëpunim me projektin italian “Sviluppo”, po punohet edhe në drejtim të implementimit të teknologjive të reja që përmirësojnë rendimentin.
Dulellari tha se, së shpejti do të vijnë pajiset me makineritë e seleksionimit dhe të ambalazhimit të fasules, me një vlerë mbi 30 mijë euro, që sigurojnë standarde edhe më të larta tregtimi.
ATSH