ATSH – I. Vata/- “Qeveria me një VKM po ndryshon sërish skemën e kompensimit të pronave”, tha sot ekspertja e ngarkuar e PD për çështjen e pronave, Ledina Mandija.

Mandija tha se “qeveria shqiptare nuk ka pasur kurrë synim të zgjidhë problemin e pronës dhe zgjidhjen e ngërçit në lidhje me pronarët e tokës. Të gjitha lëvizjet e saj kanë qenë në kurriz të pronarëve të vërtetë dhe në favor të korrupsionit, vjedhjes dhe padyshim oligarkëve që përfitojnë tokat e pronarëve përmes ligjeve si ai i investimit strategjik”.

Sipas saj, “qeveria ka marrë një plan masash të përfundojë procesin e shpronësimit të plotë të pronarëve dhe të legalizimit të çdo paligjshmërie që ekziston në Shqipëri”.

“Sot, bilanci është i trishtë dhe alarmant njëkohësisht. Janë 7000 raste pronash që ende presin në agjenci apo dyert e gjykatave. Pa folur këtu për çështjet e tjera që enden në dyert e gjykatave ndërkombëtare. A ka vallë një mënyrë për t’i kompensuar pronarët? Po! E vërteta dhe haka janë mundësia për t’i dëmshpërblyer pronarët”, tha ajo. /j.p/