“Vendimi i parë lidhet me miratimin në parim të marrëveshjes së bashkëpunimit midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së shtetit të Izraelit, për periudhën 2022-2025. Kjo marrëveshje nxit, inkurajon bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve tonë, në fushën e arsimit, në fushën e shkencës, të kulturës, të rinisë dhe të sporteve. Pra ka një fushë shumë të gjerë bashkëpunimi”, tha Kushi.

Në mënyrë të veçantë në fushën e arsimit, nënvizoi Kushi, “kjo marrëveshje, ky program nxit aktivizimin e projekteve midis institucioneve tona arsimore, shkëmbimin e përvojave, shkëmbimin e profesorëve, të studentëve. Parashikon bursa studimi, qoftë për kurse verore, po qoftë edhe për bursa specializimi. Pra ka një kuadër shumë të gjerë. Po kështu dhe fushën e kulturës, në fushën e trashëgimisë kulturore, të panairit të librave etj”.

Kushi theksoi se, “vendimi i dytë që morëm sot është në fushën e sportit dhe lidhet me përcaktimin e masave të sigurisë dhe përgjegjësitë për aktivitetet sportive dhe veçanërisht ndeshjet e futbollit”.

“Të gjithë e dimë që sporti është një e drejtë kushtetuese dhe i gjithë legjislacioni është hartuar në mënyrë të tillë që të jetë i aksesueshëm për të gjithë. Madje në ligjin për sportin është parashikuar shumë qartë që ky të jetë gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët. Por të gjithë e dimë e që shpesh herë, madje është bërë fenomen global, dhuna në aktivitete sportive, dhuna veçanërisht në ndeshjet e futbollit, cenon integritetin e sportit dhe misionin që ai ka argëtues dhe edukativ. Prandaj është shumë e nevojshme që të përmirësohet akoma më shumë kuadri nën/ligjor në mënyrë që të parandalohen fenomenet e dhunës në sport”, tha Kushi.

Ministrja Kushi tha se “gjatë viteve të fundit ka përmirësime, sidomos përsa i takon reduktimit të dhunës midis lojtarëve në fushën e lojës. Por problem mbetet dhuna nga tribuna drejt lojtarëve, apo dhuna dhe konfliktet fizike mes vetë tifozëve të ekipeve të ndryshme”.

“Kështu që për këtë arsye edhe pse shpesh herë komisionet e disiplinës kanë marrë masa, kanë reaguar me penalitete për lojtarët për ekipet, deri në realizimin e ndeshjeve pa tifozë, nëpërmjet vendimit që miratuam sot, kemi parashikuar të gjitha përgjegjësitë e institucioneve, procedurat që duhet të ndjekin për çdo hap, për çdo element të aktiviteteve sportive. Dhe po ashtu dhe penalitetet që duhet të ndërmerren për raste të veçanta.

Kushi falënderoi Ministrinë e Brendshme dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe të gjitha federatat që kanë ndihmuar në hartimin e këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, që theksoi ajo, “na përafron akoma më shumë me legjislacionin evropian dhe me konventën evropiane kundër dhunës në sport”. /a.a/