/ATSH-Arbi Fortuzi/- “Parku Rinia” është gati të presë nesër, në festën e 1 Qershorit, fëmijët e kryeqytetit, me më shumë lodra, gjelbërim dhe mjedise argëtuese. Me largimin e kioskave të paligjshme 20 vite më parë, ky park u kthye në një hapësirë çlodhëse për qytetarët, ndërkohë nga sot mund të quhet tërësisht i transformuar sepse përshtatet me kënde lojërash për më të vegjlit, mjedise për të moshuarit dhe dashamirësit e parqeve.
Teksa po i jepet dora e fundit, para hapjes së nesërme, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se Parku Rinia është një tjetër pikë tërheqëse që i shtohet kryeqytetit, njësoj si Pazari i Ri, Sheshi Skënderbeja po Kalaja e Tiranës. “M’u kujtua 1 Qershori i para 4 viteve, kur hapëm parkun e lodrave te Liqeni. Mbaj mend se nga 100 ditë që punuam aty, u bënë 78 protesta. Sa herë që ndodh ndonjë gjë e bukur, do ketë sherr e shamatë, përfshirë edhe Parkun Rinia. Parku Rinia ka firmën e Edi Ramës, i cili e pastroi nga gjirizi i madh i kioskave të të fortëve atëherë kur askush nuk e mendonte se mund të bëhej. Atëherë isha student dhe ndoshta kjo ka qenë xixa e parë, sepse thashë: ‘Po, Shqipëria mund të bëhet dhe ia vlen të kthehesh! Po, mund të transformohet dhe të bëhet një vend modern!’ Më vjen mirë që pas pastrimit, tani po bëjmë edhe një transformim të parkut”, theksoi Veliaj.
Krahas hapësirave të gjelbra dhe trotuareve moderne, “Parku Rinia” ka edhe një reliev të ndryshëm në sipërfaqe të caktuara, çka shërben jo vetëm si një mur akustik, por nxit edhe aktivitete fizike për fëmijët. “Duke qenë se ka trafik, Bulevardi, Lana, “Myslym Shyri”, Ministritë, zona e Tajvanit te rruga “Ibrahim Rrugova”, janë rrethuar nga duna të vogla për të ruajtur akustikën. Edhe tani që flasim nuk dëgjohet asnjë zhurmë sepse akustika është e mrekullueshme, nuk ndihet që je në mes të një zonë urbane. Për ata që kanë kafshë shtëpiake, për qenushët dhe katërputroshët, ka një hapësirë të veçantë me lodra edhe për to. Ju kërkojmë vetëm që ta mbajmë pastër”, tha kryebashkiaku.
Një hapësirë e veçantë i është kushtuar edhe moshës së tretë, ku janë vendosur stola, por edhe tavolina shahu. “Në shumë prej parqeve, edhe te Liqeni, edhe te 1 Maji, apo në disa zona të tjera, kemi vendosur tavolina për shah dhe domino. Më vjen mirë që gjyshërve u kemi rezervuar një hapësirë të veçantë edhe këtu. Nëse duan të miksohen me fëmijët, kemi edhe disa shkallë te amfiteatri, ku mund të ulen dhe të shijojnë nipat dhe mbesat. Por nëse duan të luajnë vetë, kemi një hapësirë edhe për ta”, deklaroi Veliaj.
Një gjetje unike është edhe baseni ujor që rrethon “Monumentin e Pavarësisë”, i cili në jo pak raste është vandalizuar. “Kemi një gjetje origjinale edhe te Monumenti i Pavarësisë. Një nga keqardhjet që e para që kam patur kur nisa detyrën në bashki, ishte fakti se si simboli që celebron një nga ditët më të rëndësishme të kombit tonë, ishte kthyer në një vend ku urinohej. Mbulimi me ujë dhe kthimi në një ishull, ku qëndron si një piedestal mbi ujë, apo ndoshta edhe një mini-instalacion i stilit japonez që mund të bëjmë aty, e zgjidh edhe çështjen e vandalizimit”, shtoi Veliaj.
Kryebashkiaku kërkoi bashkëpunim të qytetarëve dhe theksoi se nuk është zgjidhje vendosja e stërkëmbëshave për të penguar punët e këtij qyteti. Veliaj shtoi se ashtu si “Parku Rinia”, do të ndërtohet edhe Teatri i ri Kombëtar. “I dëgjoj edhe ata që shajnë, edhe ata që vënë gjoba, edhe ata që mundohen që në çdo punë të mirë të gjejnë një cen. Kemi vendosur që të mos merremi me ta, të rrimë të fokusuar, kemi vendosur që të jetë puna ajo që flet. Jam i sigurt se siç do të flasë “Parku Rinia” nesër në 1 Qershor, do të flasë edhe Teatri kur të mbarojë puna pas 1-2 vitesh. Siç flet Amfiteatri te Liqeni sot, ku shitet çdo biletë, ashtu do të flasë edhe Piramida. Ftesa për qytetarët është: Jetoni, por edhe lërini të tjerët të jetojnë. Mos të merremi me llafe, mos të merremi me stërkëmbësha, me thika pas shpine, mos t’i vëmë gjoba njëri-tjetrit, mos t’i themi njëri-tjetrit: “Hip se të vrava, zbrit se të vrava”, deklaroi ai.
Kreu i Bashkisë nënvizoi se qeveria dhe bashkia kanë bërë më shumë muze e më shumë vepra publike se çdo paraardhës. “Do të bëjmë më të mirën për artin e kulturën. Sigurisht që do të bëjmë edhe më të mirën për Teatrin. Aty ku kishte mundësi restaurimi, Teatri i Operas dhe Baletit u restaurua, por aty ku tallashi nuk mbante më, do të bëhet një Teatër i ri. Mjafton të bëjmë një inventar të punëve në Tiranë, jo vetëm të Bashkisë, por duke filluar nga Muzeu i Gjetheve, Bunk Art-i, Marubi, Muzeu Mesjetar në Korçë, te Teatri i Operas dhe Baletit, restaurimi që i është bërë Pazarit të Ri – pra qartazi, këtu po debatojmë me njerëz që e kanë një CV shumë të pasur të veprave konkrete që kanë përmirësuar jetën në Tiranë. Por, kjo do pak besim, më pak cinizëm, më pak dyshim, më pak të qenit skeptik dhe të vënies së stërkëmbëshave dhe më shumë bashkëpunim”, tha ai, teksa shtoi se Tirana është kujdesur që krahas zhvillimit me hotele me 5 yje, të ketë edhe parqe.
Krahas një hapësire të veçantë që i është dedikuar atyre që dëshirojnë të luajnë me katërputroshët, janë krijuar mini-sheshe për fëmijë e të moshuar, ndërsa është bërë shtrimi i rrugicave me gurë dekorativ dhe është vendosur dhe sistem i ri ndriçimi.