ATSH/- Në Skemën Kombëtare të këtij viti një nga masat mbështetëse për fermerët është edhe zëvendësimi i plastmasit në serra dhe tunele plastike.
Plastmasi, që përdorin fermerët për prodhimin në mjedise të mbrojtura, si serra apo tunele plastike, aktualisht nuk është i përjashtuar nga TVSH-ja që aplikohet për inputet bujqësore.
“Çdo fermer që do të ndryshojë plastmasin, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nëpërmjet Skemës Kombëtare të mbështetjes do t’i paguajë pjesën e taksës që ata japin kur blejnë plastmasin si lëndë e parë”, tha ministri Çuçi teksa vizitoi në Fier një nga serrat më të mëdha të prodhimit të luleshtrydhes në fshatin Kafaraj.
Nëpërmjet pagesave nga Skema Kombëtare synohet të bëhet kompensimi i kësaj vlere, çka ndikon në uljen e kostos së prodhimit të perimeve dhe luleshtrydhes, të cilat janë produkte me peshë të konsiderueshme edhe në eksportet bujqësore.
Ndonëse pati një çekuilibrim momental të tregut në ditët e para të pandemisë së COVID-19, aktualisht luleshtrydhja është një nga produktet bujqësore që po shitet me çmimin mesatar më të lartë që prej 6 vitesh, rreth 200 lekë për Kg.
Vetëm gjatë muajit prill 2020 eksporti i fruta-perimeve u rrit me 14.3% krahasuar me prillin e një viti më parë.
Aplikimet për fondet e Skemës Kombëtare të këtij viti do të nisin brenda muajit maj. Të gjitha veprimet do të bëhen online me zero dokumente. Fondi i parashikuar në Skemën Kombëtare për vitin 2020 është 743,9 milionë lekë dhe pritet të përfitojnë rreth katër mijë fermerë.
e.xh//a.a/